Kryeminstri Rama: Prej të shtunës kemi një problem me presidentin Meta

“Prej të shtunës kemi një problem me presidentin Meta”- u shpreh kryeministri Edi Rama në seancën jashtë radhe të mbledhur sot në Kuvend për të votuar dekretin e Presidentit Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm.

Por ndërsa iu desh vetëm një orë për të firmosur dekretin e shkarkimit të Xhafajt, presidenti ende nuk ka firmosur dekretin për emërimin e gjeneral Sandër Lleshit për postin e ministrit të Brendshëm edhe pse ka kaluar afati 7 ditor.

Në një fjalim që zgjati mbi 15 minuta para deputetëve të maxhorancës, Rama tha se nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit  të ministrave që gëzojnë besimin e kryeministrit.

“Mos është një pastërti kaq skënderbegase që e shqetëson Ilir Metën?! Nuk dua ta besoj” tha Rama.

Rama tha se ishte gati të pranonte “dorashkën e hedhur  nga presidenti” për të rrëfyer me dyer të mbyllura ose të hapura arsyen e mosdekretimit të Sandër Lleshit. Duke respektuar radhën e lëvizjeve Rama tha se pas votimit të dekretit të shkarkimit të Xhafës qeveria do i jepte kompentencat Sandër Lleshit për drejtimin e ministrisë së Brendshme nga posti i zv/ ministrit, duke i dhënë kështu dhe “ca ditë kohë presidentit të Republikës që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë por dhe vetes pë të hedhur hapin tjetër.”

Ja pjese nga fjala e Rames

Rama: Që kur hyri në presidencë pas asaj dalldisjes fatkeqe të rrugës së Shqipëisë me flamurin e LSI-së ai e ka justifikuar thuajse plotësisht votën tonë. Ka respektuar kushtetutën, ka peshuar fjalën dhe barazpeshuar qëndrimin, por qysh prej të shtunës në mbrëmje kemi një problem me presidentin e Republikës.

Kushdo ka të drejtën e vet të mos na besojë, kritikojë, por askush tjetër përveç popullit sovran as e ka dhe as e merr dot të drejtën të na pengojë në uhstrimin e mandatit tonë kushtetues. Kjo vlen dhe për presidentin. 

Nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit  të ministrave që gëzojnë besimin e kryeministrit. 

Edhe pse Kushtetuta nuk i njeh presidentit të Republikës as shprehimisht as me nënkuptim kompetencën për të refuzuar anëtarët e qeverisë, presidenti ka formuluar një letër pa asnjë referencë ligjore.

Për gjeneral Lleshin u kërkuan letra pastërtie si asnjëherë më parë.

Falenderoj për hulumtimin tejet skrupoloz të postierit të presidentit.

Mos është një pastërti kaq skënderbegase që e shqetëson Ilir Metën?! Mua s’ma merr mendja

Koha e plotë që mori presidenti dhe fakti që në këtë vend ku dhe xhamia futet në thes dhe prifti

Për gjeneral Sandër Lleshin as vetë ‘Kinoshqupi’ nuk prodhoi ndonjë video apo audio për 7 ditë me rresht. Nuk janë pak.

Nuk e kam humbur besimin, se presidenti nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit mbi këtë… 

 … Krisja nuk është pasionale, është kushtetuese.

Jemi këtu që të bëjmë çmos për ta ngjitur. Urojmë që të mos e çojmë këtë krisje në thyerje. Sigurisht që nuk është fundi i botës por është e shmangshme.

Është e qartë, nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të ishte në rindërtim për shkak të reformës së thellë, dhe aq shumë të padëshiruar nga shumë të tjerë, jo nga presidenti, në drejtësi,  nuk do të ishim përpara kësaj vështirësie që sa është artificiale aq dhe serioze.

Por fakti që mungon Gjykata Kushtetuese, fakti që punohet ditën dhe natën për ta bllokuar reformën në drejtësi nuk është mungesë e pakapërcyeshme për ne. Ne duhet vetëm të kemi dëshirën për mirëkuptim dhe e kemi. Durimin për t’i dhënë zgjidhjen në radhë të parë me mirëkuptim, dhe e kemi vendosmërinë për të arritur qëllimin që është baza e ekzistencës, mbrotja Kushtetutës dhe e kemi. Në këto të treja mbrojtja e Gjykatës Kushtetuese është e kapërcyeshme. Nëse edhe presidenti i Republikës nuk do i mungojë qoftë njëra nga këto të treja, dëshira për mirëkuptim kjo krisje zhduket në pak kohë.

Sidoqoftë ne do i bëjmë hysmetin këtij procesi dhe do të vazhdojmë të komunikojmë me presidentin në ditët në vijim.

Këtu kam një ndjesë dhe realisht shumë ndjesë, presidentit në radhë të parë, nëse çka sapo do të shtoj këtu në kllapa është sajesë mediatike por meqë më informuan dhe prapë e konfirmova sot, duke qenë se vetë nuk i disponoj në ekranin e shtëpisë kanalet e klubeve mediatike të Shqipërisë. Që përmes një gazetari në një klub mbrëmë, shefi i kabinetit të Presidentit ka hedhur me sms dorashkën presidenciale për t’iu drejtuar grupit tonë parlamentar apo gjithë Kuvendit, nuk e di. Me dyer të mbyllura për të rrëfyer arsyen e vërtetë të mos dekretimit, që mos o zot… mos qoftë ajo që unë ende nuk e besoj që ma kanë dëgjuar veshët, në takimin me të. Madje jam gati të pranoj që kam problem unë me veshët përpara se të pranoj që ma ka thënë Presidenti i Republikës mua atë arsye, në vendin ku unë jetoj me kujtimet dhe ëndrrat e mia, mirëse të vijë zoti President dhe të na rrëfejë me dyer të mbyllura apo të hapura, vetëm me ne apo bashkë me gjysmën e familjes tonë politike këtu në parlament, gjithçka që e ka mbajtur përbrenda, me shumë gjasë, pa arritur të mos më thotë as mua në sy, por mos qoftë ajo që më ka thënë mua, larg qoftë. Çdo që mund ta përballoj, por një president qesharak nuk e përballoj dot, për atdheun tim.   

Më vjen mirë që ne, këtu, kemi dakordësi të plotë, kur dëshira për mirëkuptim shumë kujt i ngjan sio dobësi, durimi për të gjetur një zgjidhje shumë kujt i ngjan pamundësi, vendosmëria në arritjen e qëllimit shumë kujt mund t’i ngjajë si vetëngushëllim përsa kohë presidenti i papranueshëm për ne qëndron përballë nesh si fakt i kryer, por më besoni nuk është kështu.Koha më ka mësuar të mos e them fjalën e fundit të parën dhe vendi më ka mësuar që ta respektoj radhën e lëvizjeve. Sot le të respektojmë shkarkimin e Fatmir Xhafës, të cilin e falenderoj  dhe një herë për kontributin që dha, më pas do të vendosim në qeveri ministrin e Brendshëm të refuzuar nga presidenti për dekretim.  Natyrisht në  drejtimin e ministrisë së Brendshme si zv/ ministër dhe do ti japim ca ditë kohë jo vetëm presidentit të Republikës që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë por dhe vetes pë të hedhur hapin tjetër.

….Koha më ka mësuar të mos e them fjalën e fundit të parën. Sot të votojmë shkarkimin e Fatmir Xhafës, më pas do të vendosim në qeveri zv/ ministrin e brendshëm. Dhe do i japim ca ditë kohë jo vetëm presidentit të Republikës që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë por dhe vetes për të hedhur hapin tjetër.

Dua ta mbyll fjalën time para jush duke ju falenderuar ju dhe të gjithë ata të njohur dhe panjohur që kanë shprehur mbështetjen për Sandër LLeshin.

Shtatë ditët e pamjaftueshme që presidenti mori për të … më konsoliduan se gjeneral Sandër Lleshi në krye të ministrisë së Brendshme është njeriu i duhur si përfaqësues i shumicës së duhur sot dhe nesër. oranews

Aktualitet

Archives