“Këta cenues të interesave kombëtare tani mbrojnë detin”

Kryeministri Edi Rama foli sot në Kuvend për debatin në lidhje me zgjerimin e Greqisë 12 milje në det, duke theksuar se ata të cilët i fryjnë këtij zjarri e dinë shumë mirë që këtu ska asgjë të vërtetë.

“E para, dhe po të duash nuk e lëshon dot, s’ke asnjë mundësi. E dyta kushdo që do donte ta lëshonte, cilido qoftë nuk e lëshon dot nuk ka asnjë mundësi dhe e treta mos u bëni kaq qesharakë dhe kaq të poshtër njëkohësisht dmth poshtërsisht qesharakë sepse ata të cilët i fryjnë këtij zjarri e dinë shumë mirë që këtu s’ka asgjë të vërtetë”, u shpreh ai.

“Në vend se të punojnë për popullin duan ta përdorin popullin, në vend se të punojnë për ata shqiptarë që janë në punën e tyre dhe s’kanë as detyrën dhe as mundësinë të kenë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe shqetësohen, duan t’i përdorin ata, duan të kapin ndonjë votë kap ça të kapësh dhe nisen me varka mono për të mbrojtur detin në mes të diellit duke i rënë lopatës sa majtas djathtas dhe dalin në deklarata të veshur me kostum për të mbrojtur detin. Kë det po mbroni, cilin det. Keni konstatuar gjë që ka ndonjë zbythje deti atje drejt Greqisë, mos ka dal gjë tokë aty ku bëni këto luftrat me varka, keni parë gjë? Deti aty është nuk ka lëvizur e para. E dyta nuk është dot as deti as toka as ajri një materie që mund të negociohet ose mund të ndahet, siç ndaheshin tenderat kur LSI-ja  drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar. Nuk funksionon këshu sepse çfarëdo negociatash të bëhen ato bëhen me personat e autorizuar nuk bëhen si muhabet varkash dhe personat e autorizuar kur arrin një konkluzion nëse e arrijnë paraqesin konluzionin tek autoritetet dhe nëse nje autoritet që është qeveria firmos një marrëveshje ka një autoritet tjetër që duhet ta gjykojë atë marrëveshje që është zoti president i Republikës, i cili nuk e di pse është futur dhe ai në këtë mbrojtje të detit dhe e di shumë mirë që po nuk erdhi deti tek ai askush s’ka cfarë i bën detit”, theksoi kryeministri.

“Pastaj ka një tjetër autoritet që është Gjykata Kushtetuese e Republikës për të cilën ai ka thënë që do t’i drejtohet para se të bëhët marrëveshja dhe shumë mirë do bëjë. Pastaj ka dhe një autoritet tjetër që është parlamenti i Shqipërisë. Më e bukura është që ata që realisht e lëshuan detin, Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha, Monika në atë kohë s’kishte lopata kishte vetëm varkën se lopatat i kishte Iliri dhe s’mund ta përfshijmë në këtë, bënë marrëveshjen më të gabuar për Shqipërinë. Dhe si e bënë? E bënë në rrugë zyrtare, e bënë me firma e me vula. Nuk ka marrëveshje me fjalë për territoret e një vendi nuk ndodh dot, s’ka si të ndodhë as për det, as për ajër, as për tokë. E bënë me firma e bënë me vula, e firmosi me buzëqeshjen më të gjatë që kam parë ndonjëherë në portretin  e Lulzim Bashës, vetë Luzlim Basha kur ishte ministër i Jashtëm. Shikojeni arkivin, ai zakonisht ka një buzëqeshje kilometrike. Ajo është një buzëqeshje me milje të panumërueshme nga mbrapa një veshi deri mbrapa veshit tjetër dhe jam i bindur që po të filmohej dhe mbrapa do i dukej buza e qeshur dhe mbrapa por nuk kam prova për këtë që të them që ka qeshur dhe me buzën e mbrapshme”, tha Rama.

“Ka dalë Ilir Meta e ka mbrojtur në atë kohë me gjithë peshën e tij në qeveri dhe fizike, ishte dyfish në atë kohë dhe ka dalë e ka mbrojtur duke na thënë ne që po provokojmë e kush e di se ç’po bënim. Ne nuk kemi çuar në Gjykatë Kushtetuese një thashethem sepse vetëm në Shqipëri mund të ndodhë kjo dhe në Kosovë faktikisht që del një kryeministër apo kryetar shteti në punën e vet në vendin e vet dhe në të drejtën e vet thotë një fjali dhe këtu plas peshku. Ne kemi çuar në Gjykatën Kushtetuese një marrëveshje të firmosur të vulosur të vendosur. E çuam në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk e bëmë pazar peshku. Gjykata Kushtetuese vendosi 9-0 si asnjëherë në çështje sensitive dhe quajti një marrëveshje që cënon interesat kombëtare. Tani këta cenues të interesave kombëtare që janë konstatuar si të tillë jo nga ndonjë palë këtu në parlament por nga Gjykata Kushtetuese pra janë të fajshëm, këta janë fajtorë faktikisht për cenim të interesave kombëtare. Sot qenkan mbrojtësit e interesave kombëtare nga unë dhe nga kjo ana këtej që e çuam marrëveshjen në Gjykatë Kushtetuese. Ju lutem në këtë parlament mos u bëni më qesharak se na bëni qesharak të gjithëve. Detin dilni mbrojeni atje ku peshq që votojnë për ju, dilni kapini futini në rrjet dhe shpëtoni detin imagjinar”, tha Rama.

“Sa për detin e Shqipërisë fjala e kryeministrit të Greqisë për t’u shtrirë 12 milje, Greqia në ujërat e veta territoriale nuk ka lidhje fare me Shqipërinë, nuk ka asnjë lidhje. Nuk ka hapësirë fizike aty ku gjendet hapësira ndarëse mes Shqipërisë dhe Greqisë për të ushtruar të drejtën e 12 miljeve. E drejta e 12 miljeve është një e drejtë që buron nga Konventa Ndërkombëtare e te Drejtës së Detit e vitit 1982 dhe është për të gjitha vendet dhe çdo vend që ka mundësi të shtrihet 12 milje mund ta bëjë këtë. Aty ku mundësia nuk ekziston thotë Konventa shtetet negociojnë. Çfarë po negociojmë ne me Greqinë nqs do ishte kaq e thjeshtë, çfarë po negociojmë ne”, u shpreh kryeministri Rama.

“Nuk ka negociata në zhvillim me Greqinë, që nga ndryshimi i qeverive dhe negociatat mes dy  palëve nuk kanë përfundur në atë kohë. Nuk ka marrëveshje dhe mos u bëni qesharakë”, u shpreh Rama.

“Përfitoj nga rasti t’i them të gjithë atyre që kanë të drejtën e tyre mos të na besojnë, mos të na votojë ne e të mos na duan ne, që të mos bëhen qesharakë me veten e tyre dhe përpara fëmijëve të tyre, duke mbrojtur detin nga asgjëja. Përderisa ne jemi ata që e rrëzuam atë marrëveshje, nuk mund të jemi ata që e ribëjmë në cenim të interesave kombëtare. Nuk ka se si të jemi dhe fjalën shitje mos e përdorni vend e pa vend për çdo gjë sepse nuk funksionon”, theksoi Rama.

“Nuk është një kamion me 12 litra ujë deti që ka lëvizur pa e ditur ju, janë 12 milje. Nuk është kamion ai që ka kaluar natën në doganën që drejtohej nga Timi. Timi nuk ka faj se mendon se mund të funksionojë si krahu i doganës puna e detit, por nuk është ajo. Nuk shkon dot deti me kamion nga dogana dhe del pastaj pala tjetër dhe thotë na erdhi kamioni”, tha Rama.

“Në vitin 2020 ka shumë arsye për të bërë opozitë. E çoroditët këtë pjesë të popullit që ju ndjek verbërisht që i ka sytë në vend, po i ka lënë në tokë dhe shkojnë pas Berihait. Po të paktën ju që jeni këtu në parlament, u ndatë nga ata që ikën, mos flisni si ata që ikën”, iu drejtua Rama opozitarëve në Kuvend.

“Deti është aty, nuk ka kush e merr dhe një gjë ta fiksoni që sa të jem unë në detyrë do të bëjmë më të mirën. Patjetër që kemi bërë edhe gabime, por cenim të interesave kombëtare kurrë dhe nuk është faji im pse ju këtu dhe disa në Kosovë, kujtoni se mund të fitoni me Serbinë duke gjuajtur në ajër. Nuk funksionon, nuk është faji im. Ju demokratët e mëdhenj që keni frikë nga takimet dhe që takimet i quani faji në vetvete mos merrni frikën e Lulit, që ka frikë të takohet me mua. Takimet janë pozitive edhe në luftë jo më në paqe”, përfundoi kryeministri Rama. Ata

Aktualitet

Archives