Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore nuk arrin dakordësi për KQZ-në

Mbledhja e sotme e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore nuk ka arritur në dakordësi për çështjet e marra në shqyrtim.

Deputeti i Partisë Socialiste, bashkëkryetar i komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, gjatë një komunikimi me mediet në përfundim të tryezës së Këshillit Politik, theksoi se Partia Demokratike iu rikthye debatit për të mbajtur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ashtu siç ishte dhe jo siç u ra dakord më herët për të zgjatur mandatin e tij dhe për të hequr anëtarët politikë në të.

Ai theksoi se qëndrimi i mazhorancës është që t’i shkojë deri në fund të marrëveshjes së arritur, duke respektuar dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Fatkeqësisht nuk kemi patur ndonjë dakordësi, pasi PD iu rikthye KQZ të vjetër. Ajo që kanë propozuar ekspertët dhe që ka qenë pjesë e diskutimeve, ka qenë që të krijojmë një grup në KQZ të qëndrueshëm përtej mandatit politik të një qeverie, me mandate më të gjata se çfarë janë sot dhe jopolitik”, – tha Gjiknuri.

“PD ka kërkuar një marrëveshje zjedhore, për të marrë disa garanci që kanë të bëjnë me dokumentin e identifikimit elektronik. Po qe se duhet ta bëjmë përsëri politikë dhe me mandate politike, mund të themi se ky ishte një devijim i paparashikuar i bisedës që kishim bërë”, – vijoi Gjiknuri.

“Mendoj që duhet të ketë reflektim nga ana e tyre. Jemi akoma për të gjetur kompromis brenda parimeve që kemi diskutuar, për të krijuar një KQZ të pavarur e për të implementuar skemën që kemi rënë dakord. Ata kërkojnë mandate katërvjeçare. Praktikisht pra, duan të kthehen tek KQZ aktuale. Është më e ndershme të rrimë te kjo KQZ që kemi dhe s’kemi pse bëjmë debate dhe diskutime”, – tha Gjiknuri.

Po ashtu, nuk ka pasur dakordësi edhe për procedurën e tenderimit për identifikimin elektronik.

“Drafti i marrëveshjes, pasi të përfundojë këtu do të shkojë në Kuvend. Është fatkeqësi që PD kërkon procedura tenderimi. Kodi Zgjedhor nuk mund të parashikojë tenderat. Nuk di që në Kodin Zgjedhor të shkruhen procedura tenderimi dhe PD kërkon këtë gjë. Ne i dhamë nënkomisionerin, por besoj se nuk është normale që një ligj zgjedhor të përfshihet me procedura tenderimi”, – shtoi Gjiknuri.

“PS është shprehur publikisht. Ne do të respektojmë marrëveshjen me PD, por ne nuk i kemi votat. Ky është një proces që do shihet hap pas hapi. Ne duhet të bëjmë të gjitha verifikimet dhe diskutimet me të gjitha palët. Politika është bërë tripolare tashmë, duhet të gjejmë një zgjidhje dhe me ta, opozitën parlamentare. Këtë marrëveshje duhet ta çojmë deri në fund. Mazhoranca do t’i shkojë deri në fund këtij procesi brenda hapësirave parlamentare”, – u shpreh Gjiknuri.

Sipas tij, sistemi do diskutohet menjëherë pas mbylljes së këtyre çështjeve.

Partia Demokratike e përfaqësuar nga ish-deputeti, Oerd Bylykbashi u shpreh nga ana e saj se opozita ka propozuar për krijimin e KQZ dhe organeve të tjera, një formulë të ngjashme me atë që ndodhet në Kushtetutë për zgjedhjen e anëtarëve të organeve të sistemit të drejtësisë.

“Këshilli Politik sot diskutoi për një nga çështjet më të rëndësishme që përmban dakordësia e 5 qershorit për administrimin e zgjedhjeve që është KQZ. Ne i qëndrojmë pikë për pikë këtij dokumenti dakordësie në lidhje me identifikimin biometrik, ruajtjen e administratës zgjedhore nga politizimi dhe dakordësinë për KQZ për një formulë të re që do të vendosë bazat jo vetëm për një KQZ efikase”, – tha Bylykbashi.

“Ne kemi bërë propozim sot për një formulë të emërimit të anëtarëve të tre trupave të KQZ nëpërmjet një formule të mirëpranuar dhe të kolauduar që sot është në Kushtetutë, formula për zgjedhjen e organeve të sistemit të drejtësisë. Një formulë që garanton një shqyrtim të pavarur dhe jo politik të kandidaturave për të ushtruar detyrën në KQZ”, – vijoi ish-deputeti i PD.

“Është një formulë që u kundërshtua nga mazhoranca socialiste pa asnjë arsyetim. Nuk i intereson për një arsye shumë të thjeshtë, sepse i intereson kapja e plotë e KQZ në të tre organet”, – deklaroi Bylykbashi.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasil, u shpreh se propozimi i opozitës respekton frymën e dakodësisë. “Formula e re e depolitizimit është në dy rrugë. Të gjitha garancitë aktuale të kodit riprodhohen në këtë propozim ashtu siç janë”, tha ai.

Aktualitet

Archives