KE: Shqipëria është vend mik, aleat dhe partner

 

-Presidenti Meta takon presidentin e Komisionit Evropian

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti delegacionin e lartë të Komisionit Evropian, të kryesuar nga Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker, me pjesëmarrjen e Komisionerit për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Presidenti Meta vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe inkurajuese këtë vizitë për Shqipërinë.

Presidenti i Republikës evidentoi faktin se të gjitha forcat politike parlamentare ndajnë të njëjtin synim madhor për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, dhe bashkohen në dëshirën për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit.

Kreu i Shtetit shpreson se falë përpjekjeve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, vendet anëtare do të binden për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë gjatë Presidencës Bullgare, gjatë këtij 6-mujori.

Duke u ndalur te zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Presidenti Meta inkurajoi heqjen sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me besimin se Marrëveshja për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi do të përmbyllet së shpejti me sukses.

Presidenti Meta ndau të njëjtën bindje mbi rëndësinë që ka forcimi i rolit stabilizues të Shqipërisë në rajon.

Vlen të përmendet se Juncker në kuadër të turneut të vizitave në vendet e Ballkanit është  takuar në fillim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Presidenti i Komisionit Evropian, në një konferencë për mediat me kryeministrin, Edi Rama, theksoi se për Bashkimin Evropian vendet e Ballkanit Perëndimor veçanërisht Shqipëria janë vende aleate dhe partnerë që kanë një perspektivë evropiane.

Ai ka deklaruar se BE mbështet Shqipërinë në të gjitha përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit, ndërsa ka theksuar se “vendi i natyrshëm i Shqipërisë është në Bashkimin Evropian”.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, inkurajoi Shqipërinë dhe Greqinë të bien dakord për zgjidhjen e çështjes së detit dhe problemeve të mbartura para prillit.

Në konferencën e përbashkët, Juncker tha se ka një dritare mundësish të hapura që duhet të përdoret nga të dyja palët.

Ndërsa Rama, tha se beson se Presidenti Meta do të bëje detyrën në kohë dhe do ti japë autorizimin Ministrit Bushati, për të përmbyllur me sukses këtë proces.

“…Presidenti nuk e ka refuzuar dhënien e autorizimit, por ka kërkuar me të drejtën që i jep kushtetuta dhe autoriteti i tij, disa sqarime të shkruara lidhur me kërkesën e dërguar për marrjen e autorizmit. Sqarimet e nënshkruara janë dhënë, janë në tryezën e presidentit, unë ju ftoj të gjithëve që ta shohim këtë proces me gjithë seriozitetin që meriton dhe le të gjejmë në shumë nga çështjet e tjera arsyen për të bërë lajm, por jo në këtë proces. 

Kam besim dhe nuk kam arsye pse të mos kem që presidenti do bëjë detyrën dhe ne do të kemi gjithë kohën e nevojshme për të përmbushur këtë objektiv strategjik të zgjidhjes të të gjitha problemeve të mbartura me fqinjin tonë jugor, janë probleme që shtrihen në 70 vjet të nënshkrimit të një marrëveshje të re, që për ne duhet të jetë e bazuar fund e krye tek vendimi i gjykatës sonë kushtetuese, kështu që nëse më pyesni sot a do të zgjidhet me sukses gjithë ky proces, unë mund t’ju them: Po do të zgjidhet me sukses dhe do të jetë një tjetër arsye e fortë për miqtë tanë të BE që të vlerësojnë Shqipërinë si një shtet serioz dhe qeverinë e Shqipërisë si një qeveri që ka të gjithë maturinë europiane për të trajtuar dhe çështje kaq delikate, të mbartura prej 70 vjetësh…”.

***

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi, memorandum bashkëpunimi me Müsiad Balkan

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me MÜSİAD Balkan.
Gjatë ceremonisë ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës se Turqisë, Murat Ahmet Yörük.

Kryetari i Bordit, Seyhan Pencablıgil në fjalën e tij, theksoi se ky bashkëpunim do të krijojë sinergji dhe do të kontribuojë në intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike të Shqipërisë dhe Turqisë.
Ndërsa, kryetari i Müsiad Balkan, Bilal Kara duke uruar që nënshkrimi i marrëveshjes të jetë i dobishëm për të dyja palët, tha se duke shqyrtuar mundësitë e biznesit në Ballkan, janë duke përgatitur aktivitete në kuadër të projekteve të përbashkëta.

ATTSO dhe MÜSİAD Balkan, do të vazhdojnë të mbështesin njëri-tjetrin në mënyrë që të arrijnë qëllimet e përbashkëta në çështjet e zhvillimit ekonomik rajonal.

***

-Kryeministri i Shqipërisë, Rama viziton xhaminë që restaurohet nga TIKA

Në kuadër të misionit të ndërmarrë nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA në lidhje me mbrojtjen, rijetëzimin dhe dorëzimin brezave të ardhshëm të monumenteve historike dhe kulturore, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe deputetë vizituan xhaminë e Mbretit, në Berat ku inspektuan dhe morën informacion rreth punimeve të restaurimit.

Kryeministri pati mundësinë të marrë informacion të detajuar nga afër për projektin e restaurimit. Informacionet për këtë i janë përcjellë nga koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Necip Özay Özütok.

Xhamia Mbret është një objekt, i cili është në listën e objekteve të kategorisë së parë të trashëgimisë kulturore. TIKA do të ndërhyjë në të gjitha pjesët e kësaj xhamie, duke i restauruar pjesët e dëmtuara, si dhe duke bërë nga e para pjesët të cilat nuk restaurohen.

Agjencia turke, TIKA krahas kësaj xhamie ka nisur restaurimin e xhamisë së Beqarëve në Berat, Teqesë së këtij qyteti, xhamisë së Pazarit në Gjirokastër dhe xhaminë simbol të fesë İslame në Shqipëri, atë të Et’hem Beut në Tiranë.

TIKA krahas restaurimeve të objekteve, të cilat i përkasin historisë së përbashkët shqiptaro-turke, ka realizuar më shumë se 300 projekte që prej nisjes së aktivitetit të saj në Shqipëri.

***

-Atasheu i Ambasadës ruse ftesë Forcave të Armatosura Shqiptare për bashkëpunim

Në kuadër të ditës së mbrojtësit të atdheut, Ambasada e Rusisë në Tiranë ka organizuar një pritje më përfaqësues nga sfera të ndryshme të jetës publike.

Kjo festë fillimisht i dedikohej kontributit të ushtarëve që ishin pjesë e Ushtrisë së Kuqe, por me kalimin e kohës është kthyer në një ditë përkujtimore veçanërisht për djemtë dhe burrat ose ndryshe Dita Kombëtare e Gruas që festohet me datë 8 mars.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Atasheu i Ambasadës ruse, koloneli Vladislav Filipov i bëri një ftesë Forcave të Armatosura Shqiptare për bashkëpunim në sektorin ushtarak.

“…Ne jemi të gatshëm për të krijuar një hapësirë të përbashkët të paqes me siguri të barabartë të pandashme, me një bashkëpunim frytëdhënës për të gjithë që nga Atlantiku deri tek Paqësori. Në këtë kontekst jemi të interesuar për zgjerimin e bashkëpunimit me Forcat e Armatosura të vendeve të ndryshme pavarësisht aleancave të tyre. Dhe patjetër që kemi interes për bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Shqipërisë…”.

Më tej, koloneli Filipov e vuri theksin dhe tek mposhtja e armiqve të përbashkët sikundër janë dhe organizatat terroriste.

Në pritjen e organizuar nga Ambasadori Karpushin morën pjesë personalite të politikës, trupit diplomatik, përfaqësues të medias, artit dhe kulturës.

***

Çamët në protestë: Transparencë për negociatat me Greqinë 

Shoqata “Çamëria” ka protestuar fundjavën e kaluar përpara ambasadës greke për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me Greqinë.

Me pankartat “Çamëria është Shqipëri”, ata kërkojnë transparencë për procesin e negociatave.

Protogonistët e kësaj proteste deklaruan se marrëveshja e detit, varrezat e shqiptarëve që kanë rënë prej genocidit në Greqi dhe ruajtja e identitetit kombëtar, shpikja e minoritetit në zonat thelbësisht shqiptare si Himara, duhet t’i bashkojnë të gjithë shqiptarët, pavarësisht qëndrimeve të klasës politike.

Ndërsa kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi para protestuesve tha:

“….Marrëveshja për ujrat është kërkesë e Greqisë, nuk hynë te kërkesat e Shqipërisë.  Zgjidha e çështjes çame është çështje e drejtave të njeriut, jo për ata që i vranë, por për ne pasardhësit e tyre që vazhdon genocidi dhe shkelja e të drejtave të njeriut, deti, toka, varrezat… Çamëria nuk negociohet, ato zgjidhen me dinjitet…”.

Tahir Nuredini, president nderi i çamëve, tha se nuk mund ta marrin vesh çamët nga ministri grek që s’është diskutuar asgjë për ta dhe se Ministria e Jashtme nuk mund të jetë aq e mbyllur në lidhje me këtë çështje të rëndësishme.

***

Konferencë për programin e “qeverisjes së mirë”

Konferenca prezantuese e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Romacted: Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimit rom në nivel vendor“, ka mbledhur në Tiranë zyrtarë të ministrive të ndryshme, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e komunitet rom në Shqipëri.

Drejtoresha e politikave në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Merita Xhafaj, theksoi gjatë fjalës së saj në konferencë se projekti në fjalë krijon mundësinë që politikat e institucioneve qendrore të gjejnë një zbatim edhe në nivel lokal.

Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Claus Neukirch, u shpreh se Këshilli i Evropës ka mbështetur ngritjen e zyrave në disa qytete të Shqipërisë të komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi. “Në kuadër të një programi tjetër të mbështetur nga BE ne kemi dhënë asistencë për minoritetet dhe kemi dhënë mbështetje për miratimin e akteve nënligjore si dhe ekspertizë edhe për hartimin e ligjeve për banesat sociale. Hartimi i planeve në nivel lokal për integrimin e romëve dhe egjiptianëve është një ndihmë e madhe që na jepet ne“, theksoi Neukirch.

Sipas tij, duhet të zgjerohet pjesëmarrja e qytetarëve që janë pjesë e komunitetit rom në hartimin dhe zbatimin e politikave vendore.

Bashkitë e Elbasanit, Pogradecit, Korçës, Fierit, Roskovecit, Vlorës dhe Përmetit do të jenë njësitë e para vendore ku pas prezantimit do të zbatohet programi në fjalë.

Sipas zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, programi Romacted synon të ndërtojë vullnet politik dhe angazhim të qëndrueshëm në nivel politikash të autoriteteve vendore, për të përmirësuar qeverisjen vendore si dhe fuqizimin e komuniteteve rome.

Programi do të mbulojë 50 bashkinë 7 vende të Ballkanit Perëndimor si dhe Turqinë.

***

-Shkolla verore e gjuhës turke 2018

Instituti “Yunus Emre” ka prezantuar në Shkodër “Shkollën Verore të Gjuhës Turke 2018” përmes një aktiviteti, i cili bëri të mundur prezantimin e shkollës verore, ceremoninë e shpërndarjes së çertifikatave, recital të muzikës klasike turke dhe ekspozitë fotografike e kësaj shkolle.
Programi filloi me prezantimin e institutit “Yunus Emre” nga mësuesi i gjuhës turke pranë institutit, Ibrahim Aydoglu i cili tha:

“…Motivi i këtij takimi është promovimi i shkollës verore që organizohet në qendrën tonë turke Yunus Emre. Që nga 2010, në muajin korrik ne organizojmë shkollën verore në Turqi, ku marrin pjesë studentë nga e gjithë bota, jo vetëm nga Shqipëria.

Ka një interes gjithnjë e në rritje, vetëm vitin e kaluar 12 nxënës ishin nga Shkodra. Shpresojmë që edhe në këtë vit të ketë një pjesëmarrje akoma më të madhe. Yunus Emre është vazhdimisht pranë Shkodrës, pranë nxënësve shkodranë dhe i mbështet ata për cdo nisëm…”.

Më pas, vijoi me prezantimin informues mbi shkollën verore të realizuar nga mësuesja e gjuhës turke në institutin “Yunus Emre” Shkodër, Betül Onat.
Pas fjalës së mbajtur nga zv. Dekane e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof.as.dr. Albana Boriçi, nxënësit pjesëmarrës në shkollën verore 2017, Qamil Sokoli dhe Erion Halluni ndanë me të pranishmit ndjesitë dhe eksperiencat e jetuara gjatë shkollës verore.
Pas mbledhjes së promovimit të shkollës verore u realizua shpërndarja e çertifikatave për 26 nxënës që pasqyruan sukses në kurset e gjuhës turke gjatë semestrit Vjeshtë 2017.
Pas ceremonisë së shpërndarjes së çertifikatave nën shoqërinë e tingujve të recitalit të muzikës klasike turke me performacë të instrumentit ud, u realizua hapja e ekspozitës fotografike të shkollës verore.

Po ashtu edhe në Tiranë në institutin turk “Yunus Emre” u organizua takimi informues për Shkollën Verore të Turqishtes 2018. Kursantët dhe mësuesit që kanë marrë pjesë më parë në këtë shkollë ndanë eksperiencën e tyre me pjesëmarrësit.

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Aktualitet

Archives