IBRAHIMI A.S. – UMMET NË VETE, nga Imam Edin Gjoni, Nju Jork-ShBA

Allahu i Madhërishëm thotë në kaptinën Nahël (16:120):

إِنَّ إِبْرَاهِيمَ كَانَ أُمَّةً قَانِتًا لِلَّهِ حَنِيفًا وَلَمْ يَكُ مِنَ الْمُشْرِكِينَ

Me të vërtetë, Ibrahimi ishte një popull në vete, i përulur para Allahut, me i besimit monoteist, pra nuk ka qenë nga idhujtarët”.

Në mbarë historinë e racës njerëzore, vështirë mund ta gjejmë një njeri të vetëm, i cili ka ushtruar impakt në rrjedhën e historisë në përmasa që këtë e ka bërë i dërguari i Allahut, Ibrahimi a.s. Mjafton fakti se edhe pas pothuajse 4000 vjetë nga jeta tij, më tepër se gjysma e popullatës së botës, e praktikojnë fenë e tyre, në doktrinë dhe rite duke ndjekur, çdo njëri në mënyrën e vet, modelin e Ibrahimit a.s. Ai ishte, dhe ngel të jetë, Imam (udhëheqës egzemplarë) i njerëzimit siç e quan Kur’ani, ose Babai i kombeve, siç e quajnë librat e tjera hyjnore. (Madje, edhe kuptimi i emrit të tij i përkon këtij titulli. Ibrahim, në Kaldenishten e vjetër, ka kuptimin e babit të gjeneratave të shumta (Eb Rahim), ose Eb Rahiim, (baba mëshirshëm) siç pohon Ibni Ashuri në komentin e tij.)

Për ne muslimanët është shumë kuptimplotë dhe simbolike lidhmëria e ngushtë në mes të dërguarit Muhammed s.a.w.s. dhe Ibrahimit a.s., përkundër periudhës shumë të gjatë kohore të rreth 2600 vjetëve që i ndanë këto dy Profetë. Le t’i përmendim disa nga këto pika takimi.

– Fillimisht, Muhammedi s.a.w.s ishte prej filizave biologjike të Ibrahimit, ngase mbinë nga dega familjare (loza) e birit të parë të tij, Ismailit a.s.;

– më tej, profetësia e Muhammedit a.s. është fryt i duasë së Ibrahimit a.s. أنا دعوة أبي إبراهيم;

–  Muhammedi s.a.w.s. i përgjet fizikisht më së shumti nga mbarë pasardhësit e tij. Kur takohen në mi’raxh, Profeti thotë: وَرَأَيْتُ إِبْرَاهِيمَ وَأَنَا أَشْبَهُ وَلَدِهِ بِهِ. E pash Ibrahimin dhe unë jam, nga fëmijët e tij, më i ngajshmi me të. Pa dyshim se kjo ngjajshmëri nënkupton edhe ngjajshmërinë shpirtërore. 

– Në këtë drejtim, edhe Feja dhe Sheriati i Muhammedit s.a.u.s., është shumë i përafërt me atë të Ibrahimit. Ai përmban në vete esencën e fesë së Ibrahimit a.s., pra në pikëpamje të natyrshmërisë së fesë (fitarh), besimit në njëshmërinë absolute të Zotit (teuhid), dhe nënshtrimin ose dorëzimin e tërësishëm dhe të plotë vetëm Atij, që quhet Islam. Kjo është poashtu e dukshme edhe në ritet e fesë tonë: për shembull, namazit, haxhxhit, kurbanit, synnetllëkut të djemve, etj. Prandaj në Kur’an lexojmë: “Kush është i besimit më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e ka marrë për mik të ngushtë?!” (4:125)

– Nisur nga e gjithë kjo Muhammedi s.a.w.s. insiston që emrit të tij në salavat t’i bashkangjitet emrit të – kujt tjetër përveç se – Ibrahimit a.s. Allahumme salli ala Muhammedin ue ala ali Muhammad, kema sallejte ala Ibrahime… kema barakte ala Ibrahime…

Duke marrë parasyshë se jemi duke iu afruar festës së Kurban Bajramit, dhe riteve e të cilat mbajnë zanafillën e vet nga Ibrahimi a.s., e shoh të udhës që në hytben e sotit, dhe në këto që vijnë inshAllah, të ndalem shkurtimisht (aq sa lejojnë hytbet në këtë kohë të jashtëzakonshme), ta rikujtoj vetën dhe juve në tiparet personale, jetën dhe trashëgimin shpirtërore të këtij të Dërguarit të madhë.

Faza fillestare e misionit të tij është më se interesante. Ibrahimi a.s. lind dhe jeton në qytetin Uri Kaldenjve, në Mesopotami, në kohën e idhujtarisë totale, diku rreth vitit 2000 p.e.s. Qyteti kishte pantheonin e idoleve në të cilin ndodheshin me qindra, nëse jo edhe mijëra, idole. Këto kishin zotin e tyre suprem të cilin e quanin Anu (në gjuhën Sumere zoti i qiellërave). Poashtu ishte e njohur triada e zotërave, Sin, Shamash, dhe Ishtar, që përfaqësonin hënën, diellin dhe planetin e Venerës (Afërditës), në të cilët aludojnë ajetet e sures En’am (76-78). Kështu që, Ibrahimi a.s. ishte i vetmi njeri dhe individ që dëshmonte në Zotin e Vërtetë, Allahun e Madhërishëm, i cili është krijues dhe origjinatorë i Universit.

Ai guximshëm e sfidon popullin e kohës së vet. Faktikisht, si individ i vetëm ngreh zërin e vetë në kundërshtim dhe opozitë me bindjen e masës popullore dhe zyrtarët e kohës duke predikuar Njëshmëri të Zotit, i cili i vetmi meriton adhurim. Megjithatë, nuk ishte kjo një thirrje që buron thjeshtë nga zelli revoltues dhe fanatik, siç mund të keqkuptohet. Përkundrazi, Ibrahimi a.s. predikimin e vet e mbështette me fuqi të bindëshme argumentuese. Ai përdor diskursin racional në argumentimin e kredos së tij. Në këtë drejtim, ai nuk ngurron të diskutojë dhe debatojë me bashkëvendasit e vet idhujtarë, të cilët zakonisht pas debatit me te ngelnin pa fjalë. 

Vetëm shkurtimisht t’a bëjmë një analizë argumentit të tij. Ai pohon se dielli, hëna dhe planeti Venera, që adhurohishin si perendi, nuk mund të jenë zotëra të vërtetë, për shkak se i nënshtrohen relativizmit egzistencial (al-huduth). Thjeshtë, ata dhe efekti i tyre është i përkohshëm dhe efemeral. Në një pjesë të ditës paraqiten dhe në pjesën tjetër të saj zhduken. Ndërsa Zoti i vërtetë duhet të jetë Absolut dhe i pranishëm përherë. Poashtu, njeriu nuk ka nevojë t’i drejtohet Zotit përmes agjentëve ndërmjetësues, të cilët as nuk dëgjojnë e as nuk sjellin dobi e as dëm. Për më tepër, njeriu është i vetë i denjë që ta zhvillojë raportin dhe lidhjen e vet me Allahun në mënyrë të drejtëpërdrejtë.

Kur sheh se debati në rrafshin teorik nuk sjell shumë dobi, Ibrahimi a.s. i përvishej shfaqjes vizuale dhe demonstrative të argumentit të vet. Në një ditë, kur qytetarët largohen për festuar njërin nga festivalet e tyre vjetore, ai hynë në pantheonin e zotërve dhe i bën copë e grim të gjithë, përveç zotit suprem, Anu. Kur kthehen në tempull, njerëzit e Urin patën çfarë të shohim. Kuptohet, akuza bie menjëherë në Ibrahimin. Ai në mënyre ironike e sarkastike gishtin e drejton kah i Madhi tyre  (بل فعله كبيرهم), ta pyesin atë se ai do i tregojë. Qëllimi ka qenë që në mënyrë teatrale tek idhujtarët të krijojë një llojë katarze, ose më mirë thënë tronditje (shok) e cila do t’i zgjojë nga gjumi i injorancës. Për ca momente vërtetë ngelen të hutuar dhe pa tekst. Por në vend që të kthjellohen, ata sërish i kthehen bindjes së vjetër. Dhe siç është zakon, në mungesë të argumentit, gjithmon ngel argumenti i forcës.

Ibrahimi a.s. përfundon tek mbreti Nimrod, i cili e merr në shqyrtim lëndën e tij, edhe pse ishte ditur se dënimi i heretikëve në Babilon ishte djegja për së gjalli. Ibrahimi a.s. ishte i vetëdijshëm për verdiktin e mbretit që e pret, por ai nuk ngurron t’a sfidojë mbretin. Kështu që në pyetjen e mbretit: Kush është pra, Zoti yt të cilin ti e adhuron? Ibrahimi i përgjigjet: “Zoti i im është Ai i cili jep jetën dhe vdekjen”. (Përgjigja e Ibrahimit kishte për qëllim t’ia bënte me dije mbretit Nimrod se jeta dhe vdekja  e Ibrahimit nuk janë në dorë të tij). Por Nimrodi arrogant, i thotë se këtë mund ta bëjë edhe vet, ashtu që mund t’i falë të burgosurit, por edhe t’ia marrë jetën. Kur Ibrahimi a.s. e vëren se janë duke folur për çështje krejtësisht të ndryshme, ai i thotë: “Zoti im e bën që dielli të lind nga lindje, t’i pra bëre nesër të lind nga perëndimi.” Nimrodi, ngel poashtu i hutuar dhe pa fjalë. Por jo edhe pa inat.

Ai është këmbngulës që ta dëshmojë se jeta e Ibrahimit është në dorën e tij. Kështu që sjell verdiktin që Ibrahimi a.s. të hudhet në zjarrë dhe të digjet për së gjalli. Këtu ndërhynë Zoti i Botërave, ai që në realitet e jep jetën dhe vdekjen.  Me emrin e tij, Ai urdhëron që zjarri të bëhet i freskët dhe i paqshëm për Ibrahimin a.s. (يا نار كوني بردا و سلاما على إبراهيم). Ashtu edhe ndodhë. Me mrekulli hyjnore, Ibrahimi shpëton nga dënimi. Megjithatë, kjo mrekulli – sa do që është e madhe – nuk ia ndryshoi zemrat dhe bindjet e ngurta të popullit vendas. Ibrahimi, me bashkëshorten e vet Saren dhe nipin e vet Lutin, në fund detyrohen shpërngulen nga Uri i Kaldejit, për ta vazhduar hapat e vet rrugëve të Allahut (إِنِّي مُهَاجِرٌ إِلَى رَبِّي), e të cilat rrugë jo vetëm që do t’ia ndryshojnë jetën e tij dhe atyre përreth tij, por edhe krejt globit tokësorë do ti jap një kahje dhe konfiguracion të ri.

Të nderuar vëllezër dhe motra,

Roli Ibrahimit a.s. në këtë fazë të misionit të tij ishte ta dëshmojë të Vërtetën, konkretisht (shehadetin), ta dëshmojë Allahun si të Vërtetën më të madhe. Duke e bërë këtë, ai të gjithëve na jep leksion të fuqishëm. Mbi të gjitha, se e vërtetë duhet të thuhet dhe të dëshmohet edhe nëse qëndrojmë të vetëm dhe të vetmuar në këtë drejtim. Qartas se një vepër e tillë shumë rrallë është e mirëpritur. Përkundrazi, është sikur të notosh ose lundrosh kundër rrjedhës së lumit. Kjo sjell me vete – gati gjithmonë – konsekuenca që vinë me hesape të mëdha. Por në anën tjetër, pikërisht kjo është ajo që Ibrahimin a.s. e bën të denj që si individ i vetëm ta gëzojë epitetin e të qenit një popull i tërë.

((إِنَّ إِبْرَاهِيمَ كَانَ أُمَّةً قَانِتًا لِلَّهِ حَنِيفًا وَلَمْ يَكُ مِنَ الْمُشْرِكِينَ)

Po ashtu kuptojmë nga rasti i tij se nuk është e mjaftë të ngrehet zëri për të deklaruar të vërtetën. E vërteta edhe pse është e vëretetë në vete, ajo sfidohet, dhe si e tillë ka nevojë të mbështetet me prova, në mënyrë që të ngadhnjejë dhe të dal në shesh. Allahu i madhërishëm edhe pse me fuqi të vetë është në gjendje t’i unifikojë zemrat e njerëzve në një të vërtetë, megjithatë Ai njerëzve ia ka lënë autonominë e zgjedhjes në të cilën nuk ndërhynë. Pra, Zoti i Madhërishëm mund të ndërhyjë në ligjet e fizikës, duke i suspenduar ose ndryshuar, por jo edhe në vullnetin tonë të lirë prej të cilit mvaret fati final i njeriut. E vetmja me çfarë neve disponojmë që të trokasim në bindjet dhe zemrat e njerëzve është zemra është fuqia e jonë argumentuese. Por, siç edhe pamë, nuk është fuqia e argumentit ajo që është e vetme dhe vendimtare në formimin e bindjes së njerëzve. Disi më tepër bindja e njerëzve mvaret nga teka e tyre dhe interesat personale. Njerëzit, në çdo kohë dhe vend, urrejnë t’i sfidohet autoriteti, pozita, intereset, dhe, mbi të gjitha, t’i sfidohet egoja i tyre. Dhe, pikërisht kjo dialektikë – në mes egos dhe ratios, hewa-së dhe ‘akl-it – është beteja e përherëshme që e përcjell historinë njerëzore, deri në ditët e sotme. Qartas pra, se as ne nuk kemi ndryshuar shumë. Por sidoqoftë, atëherë edhe tani, neve e kemi obligim (farz kolektiv dhe individual) ta ngresim zërin tonë dhe ta dëshmojmë të vërtetën, pa marrë parasyshë se çfarë janë konsekuencat në epilog. (قوامين بالقسط شهداء لله و لو على أنفسهم).

Megjithatë, dikush mund të thojë se epilogu i Ibrahimit a.s. nuk ishte gjithaqë i lumtur. Ai është gjykuar me vdekje më të tmerrshme, djegje për së gjalli. Madje edhe pasi të shpëtojë me mrekulli të Zotit, sërish ai do të detyrohet të largohet nga vendi i vet. Kjo mund të konkludohet në shikim të parë nëse vetëm kufizohemi në trajektoren afatshkurte të jetës dhe fenomenit të tij. Por nëse e shohim nga perspektiva e jonë sot, pas 4000 vjetëve, shohim se ky njeri i vetëm ngel të jetë model inspirues për gati 4 miljardë njerëz që e nderojnë figuren e tij, nga bijtë e Ismailit dhe Ishakut. Ibrahimi a.s. ngel model/yrnek i gjallë (usweh/kudweh) i principialitetit, sakrifikimit për ideal më të lartë, dëshmi e ndërgjegjës së pastër, dhe dëshmi e së vërtetës që do inspirojë, inshAllah, për shekuj që vijnë. Pra nuk është që oponentët e tij ngadhnjyen, ngase nuk di sot kush shumë për to, por pikërisht është ky njeri i madh dhe e vërteta të cilën e dëshmoi dhe la në trashigim gjeneratave që vijnë ai që ngadhnjeu.

وَأَرَادُوا بِهِ كَيْدًا فَجَعَلْنَاهُمُ الأَخْسَرِينَ

Aktualitet

Archives