Ibrahim Eren: Populli ka besim tek të gjitha lajmet e TRT-së

Drejtori i TRT-së, Ibrahim Eren mori pjesë në forumin e 5-të “Global News”, një nga aktivitetet më të rëndësishme të Unionit të Transmetuesve të Azi-Paqësorit (ABU) dhe që organizohet nga TRT-ja në Stamboll.

Eren, i cili njëherësh mban edhe detyrën e zv/kryetarit të ABU-së, tha se këtë vit forumi realizohet me pjesëmarrjen e mbi 120 mysafirëve nga 35 vende.

Tema e forumit të sivjetmë është “Besimi dhe vërtetësia në gazetari”, vuri në dukje Eren dhe shtoi:

“Besimi është një nga problemet më të mëdha për transmetuesit publikë dhe tradicionalë. Pasi ka me miliona burime të aksesueshme për shikuesit e lexuesit. Çdo ditë ata shikojnë përmes medias sociale me qindra lajme. Lajmet e fabrikuara, të rreme, të njohura në fushën ndërkombëtare si “fake news” kanë nisur të qarkullojnë gjithnjë e më shumë, të zënë një vend të madh si problem në rend të ditës. Në fakt kjo na e shton edhe një herë më shumë përgjegjësinë neve si transmetues publikë dhe media tradicionale”.

Kanali informativ “TRT Haber” për më shumë se 1 vit vazhdon të renditet në krye të listës me përqindje të lartë shikueshmërie,- theksoi Eren dhe e vijoi fjalën e tij kështu: “Populli ynë ka besim tek të gjitha lajmet që bën TRT-ja. Dhe me të vërtetë, ajo që po përpiqemi të bëjmë ne gjatë punës tonë si TRT është që t’u japim shikuesve tanë gjithmonë lajmin korrekt; të kontrollojmë çdo lajm që japim si dhe të bëjmë kujdesin maksimal që lajmi të mos përmbajë asnjë informacion të gabuar. Çdo ditë e javë ne japim me qindra e mijëra lajme të reja. Të kontrollosh të gjitha këto lajme është me të vërtetë një punë shumë e vështirë”.

“Shikuesit sot e konsumojnë me shpejtësi lajmin dhe kjo gjë na a vështirëson akoma edhe më shumë punën”,- u shpreh drejtori i përgjithshëm i TRT-së, Ibrahim Eren dhe bëri këtë vlerësim: “Në ngjarjet e fundit që kemi përjetuar, ne pamë se sa e rëndësishme është të jesh gazetar, të jesh burim i besuar për lajmin. Besoj se shikuesit duhet ti rizgjedhin përsëri burimet e lajmeve dhe në mesin e tyre të përcaktojnë ato që janë të besueshme dhe ti pranojnë pasi të jenë të bindur që informacioni që vjen prej tyre është një informacion, korrektësia e të cilit është hulumtuar e vërtetuar”.


Aktualitet

Archives