Hahn: Komisioni Europian rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë

Komisioneri Europian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, duke lexuar progresraportin për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, deklaroi se “Komisioni Europian rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Sipas Komisionerit Hahn, progresi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e kritereve të paracaktuara është mbresëlënës. Sipas tij, kusht i vetëm mbetet vijueshmëria e reformave.

“Shumë vende kanë arritur kriteret që kemi vendosur dhe në veçanti Ballkani Perëndimor. Angazhimi ynë ka dhënë rezultate konkrete. Kemi dhe arritje historike, kemi shumë sfida që mbeten ende të hapura dhe paketa e sotme tregon se duhet ecur mbi këto udhëzime”, tha Hahn.

Ai deklaroi se Shqipëria ka bërë progres me Reformën në Drejtësi dhe procesin e patjetërsueshme të Vetingut. “Ky është një shembull edhe për vendet e tjera”, deklaroi Hahn.

“Në nivelin strategjik duhet t’i japim merita vendeve për atë që kanë arritur ashtu sikurse duhet theksuar se sigurisht që vendet, respektivisht do të duhet të japin rezultate”, vijoi Hahn.

“Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me lejoni t’ju them se të dyja vendet kanë ecur pozitivisht me rekomandimet, sigurisht duhet të ecet më tej me çështjet problematike. Duhet të ketë rezultate më të qëndrueshme për sundimin e ligjit, për stabilitetin në rajon”, tha ai.

Aktualitet

Archives