Gjysmëhëna e Kuqe Turke shtron iftar për jetimët në Shkup

Gjysmëhëna e Kuqe Turke me rastin e Ditës Botërore të Jetimëve organizoi në Shkup iftar për 250 fëmijët jetimë dhe familjet e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesëmarrës në këtë eveniment ishin zëvendësshefi i Misionit në Ambasadën e Turqisë, Umut Lütfi Öztürk, zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale i Maqedonisë së Veriut, Gönül Bayraktar, drejtori i Institutit “Yunus Emre” – Shkup, Serhat Kula, dhe drejtori i Fondacionit Maarif të Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Mustafa Dillioğlu.

Anëtari i Bordit Mbikëqyrës të Zyrës Qendrore të Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Erdoğan Kısacık, tha për AA se sonte me rastin e Ditës Botërore të Jetimëve, në Shkup u organizua iftar për 250 fëmijë jetimë dhe familjet e tyre.

Ai theksoi se gjatë Ramazanit, Gjysmëhëna e Kuqe Turke në Shkup dhe qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut do të shpërndajë 1.500 pako me ushqime për nevojtarët.

Duke theksuar se nga Turqia ka sjellë përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe kryetarit të Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Kerem Kınık, Kısacık tha se në Shkup ndihet sikurse në shtëpinë e tij.

“Natyrisht, është mirë të jesh këtu. Këtu ndihem sikur jam në atdheun tim. Si një anëtar i Gjysmëhënës së Kuqe, kam vizituar shumë vende, por këtu nuk ndihem si i huaj. Në çdo anë kemi miq turq, ata flasin gjuhën turke”, theksoi Kısacık.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të organizojë iftare edhe në qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut.

Aktualitet

Archives