Gjakmarrja ngujon 6-vjeçaren, vajza lutet për të shkuar në shkollë

‘Fiks Fare’ të hënën në darkë solli një histori të trishtë të fenomenit të gjakmarrjes në Malësinë e Madhe.

Bëhet fjalë për një vajzë të vogël, vetëm 6-vjeçe të quajtur Elvana.

Mësohet se gjaksi e ka detyruar të nisë shkollën disa fshatra larg familjes, te gjyshërit.

Ajo është nga fshati Pjollë e Malësisë së Madhe, ndërsa është e detyruar të ndjekë shkollën tek dajat. Pasi prej 15-vitesh familja e saj është në gjak.

Edhe pse është një fëmijë dhe femër, sërish prindërit janë të frikësuar. Gjakmarrja, sipas tyre tani nuk i kursen më as fëmijët dhe femrat.

Historia e ngujimit fillon 15 vite më parë, kur gjyshi dhe gjyshja e saj u vranë nga një bashkëfshatar.

Më pas, halla e saj vrau vëllain e gjakësit. Gjykata dënoi si bashkëfajtor në krim edhe babain e Elvanës. I cili vazhdon të jetë në kërkim nga policia.

Frika e gjakësit e detyron familjen të dërgojë vajzën e tyre 6-vjeçare disa fshatra larg për t’u shkolluar.

Sot, Elvana është ulur në bankën e shkollës për herë të parë.

Në çantë kishte dy fletoret që ia ka blerë mamaja. Mbante veshur një pale xhinse të reja dhe një palë atlete të grisura që ia kanë falur.

Mes lotësh, ajo tregon se ka shumë frikë të kthehet në fshatin e saj dhe se dëshiron të shkollohet.

Qan me ngashërim dhe tregon se e ka marrë malli për prindërit dhe motrat. Por në shtëpinë e saj nuk mund të kthehet.

Gjyshja e Elvanës thotë se “jemi detyruar ta marrim këtu, edhe pse kemi frikë edhe ne”.

Ajo shton se gjendja ekonomike e familjes së Elvanës është e rëndë.

Aktualitet

Archives