Gaziantep – Rritet në 50 numri i të vrarëve nga sulmi terrorist në dasmë

Siç bëjnë të ditur burimet zyrtare, bilanci i sulmit terrorist në një ceremoni dasme në Gaziantep, juglindje e Turqisë, është rritur në 50 të vrarë dhe 74 të plagosur…

Sulmi terrorist, që përgjaku një ceremoni dasme në Gaziantep, juglindje e Turqisë, ka shkaktuar 50 të vrarë, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë, njoftoi mëngjesin e sotëm prefekti i zonës.

I njëjti burim sqaroi gjithashtu se në këtë sulm, që kishte në shënjestër një dasmë në oborrin e një shkolle fillore në qendër të qytetit, janë plagosur edhe 74 persona.

Deputeti i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK në pushtet) nga Gaziantepi, Mehmet Erdogan, tha se sulme të tilla i kryejnë organizata terroriste gjakatare si DAESH dhe PKK.

“Përpjekja jonë me këto organizata do të vazhdojë”, shtoi ai.

Me shumë mundësi, ngjarja është një sulm terrorist i kryer nga një kamikaz. Kjo u konfirmua edhe nga Prefekti i Gaziantepit, Ali Yerlikaya.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan është informuar nga autoritetet në lidhje me sulmin barbar.

Një delegacion qeveritar nën drejtimin e zv/kryeministrit Mehmet Simsek dhe ministrit të Shëndetësisë, Recep Akdag, ka shkuar urgjentisht në Gaziantep pas udhëzimit të marrë nga Kryeministri Binali Yildirim.

Me të mbërritur në vendngjarje, zv/kryeministri Simsek deklaroi se thelbi i çështjes është prishja e qetësisë dhe stabilitetit në Turqi.

Prandaj, vijoi ai, i bëj thirrje popullatës së Gaziantepit që të mos bëhet pre e provokimeve.

“Është duke u luajtur një lojë e madhe. I gjithë populli ynë duhet të shfaqë një solidaritet të madh, një maturi dhe gjakftohtësi të jashtëzakonshme, sepse këtu do t’u bëjmë ballë problemeve”, siguroi Mehmet Simsek duke theksuar gjithashtu se lufta e shtetit kundër organizatave terroriste do të vazhdojë me vendosmëri.

Më pas, zv/kryeministri Simsek dhe ministri Akdag vizituan qytetarët e plagosur, që po kurohen në spitale të ndryshme të Gaziantepit, si dhe u informuan në lidhje me gjendjen shëndetësore të tyre.

Disa orë pas sulmit terrorist, në zonë kanë mbërritur edhe delegacionet e deputetëve të forcave politike opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP) dhe Partia Lëvizja Nacionaliste(MHP).

Të njëjtën ditë 4 vite më parë, terroristët e organizatës separatiste PKK kishin kryer në Gaziantep një sulm tjetër, ku kishin humbur jetën 10 persona.

Aktualitet

Archives