Festivali ndërkombëtar “Takimet muzikore të dy botëve” zbret në Shkodër

Festivali Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” zbret nesër në Shkodër në natën e tij të dytë, pas suksesit në kalanë e Gjirokastrës fundjavën e kaluar.

“Trashëgimia, aty ku e kaluara takon të ardhmen! Ky slogan i vitit europian të Trashëgimisë Kulturore do të jetë për një muaj lajtmotivi i edicionit të 12-të në “Takimet muzikore të dy botëve”. Për vite me radhë ne jemi munduar të gjejmë rrugë të ndryshme të promovimit të trashëgimisë kulturore nëpërmjet eventeve të muzikës klasike, por dhe mbajtjes gjallë të traditës muzikore shqiptare”, shprehet Ilda Mara, drejtoreshë e Festivalit.

Argjiro në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, Qendrën Rinore Arka dhe Ambasadën e Malit të Zi sjellin përpara publikut rapsoden e njohur Lumturije Nonaj dhe duon e njohur malazeze Vox2feel.

Nën moton “Aty ku e Kaluara Takon të Ardhmen” do të keni mundësi të shijoni tingujt e mrekullueshëm të Zanës së Maleve në Lahutë, Lumturije Nonaj, e vetmja rapsode grua që mbart traditën e brezave të familjes së saj Nonaj, si dhe nuk do të mungojë tradita ballkanase e gërshetuar me muzikën klasike nga Duo Vox2feel nga Mali i Zi.

Lumturije Nonaj nisi të mësojë lahutën që në moshën 5-vjeçare dhe kompozitori Tish Daija pati një ndikim të madh në suksesin e saj. E rritur në një familje ku lahuta nuk qëndron thjesht si zbukurim muri, por luhej nga gjyshërit i saj, dhe xhaxhallarët e katër vëllezërit e saj, ajo nuk mund të mos ndiqte traditën e familjes.

Dyshja malazeze Vox2feel e përbërë nga Nedeljko Pejoviç i cili luan kitarë dhe sopranoja  Bojana Kukic-Pejanovic, sjellin në këtë edicion projektin e tyre të fundit “Konstelacione”. Zëri dhe kitara dhe lidhjet e tyre plot variacion janë të vjetër pothuajse sa vetë muzika. Kjo ndërthurje cilësohet e rrallë në vendin tonë, pasi bëhet fjalë për për mbështetjen e zërit mbi tingujt e kitarës.

Aktualitet

Archives