Fëmijët e mjekëve e infermierëve shqiptarë që humbën jetën nga COVID-19, marrin rrogën e prindit deri 18 vjeç

Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin për “Statusin e fëmijëve nën përkujdesjen e Republikës“.

Kryeministri Edi Rama informoi në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar se kjo është një masë e posaçme ligjore e një kujdesi të veçantë, me një mbështetje financiare dinjitoze për gjithë ata fëmijë të mitur të individëve që me akte të rralla vetëmohimi kanë dhënë jetën për mbrojtjen e territorit, të interesave kombëtare, të jetës së tjerëve, pronës publike apo në raste të fatkeqësisë natyrore apo gjendjeve të jashtëzakonshme në ndihmë të popullsisë.

“Do të përfitojnë të gjithë jetimët nën moshën 18 vjeç, sipas kategorive të fëmijëve apo personave nën kujdestari, të një personi me statusin “Dëshmor i atdheut”, fëmijët apo personi nën kujdestari të mjekëve, infermierëve apo personelit mbështetës që ka humbur jetën si rezultat i infeksionit Sars-Cov-2, marrë gjatë apo për shkak të kryerjes së detyrës në institucionet e specializuara të spitalit COVID-19. Fëmijët apo personat nën kujdestari të një prindi që ka humbur jetën në përpjekje të mbrojtjes së pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së të tjerëve, si rezultat i një akti vetëmohimi. Fëmijët apo personat nën kujdestari, të një prindi që ka humbur jetën si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit e të detyrës publike në mbrojtje të rendit publik, apo në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme apo fatkeqësive natyrore”, deklaroi Rama.

Sipas tij, personat që u përkasin kategorive përfituese, pavarësisht nëse prindi e ka humbur jetën para hyrjes së këtij ligji do të trajtohen në mënyrë atraktive.

Po ashtu, ai tha se personat e mitur, prindi i të cilit i përket kategorisë mjek e infermier apo personal shëndetësor, qoftë para hyrjes në fuqi të këtij ligji si rezultat i COVID-19 do të trajtohet në mënyrë retroaktive.

“Të gjithë këta fëmijë që do të marrin “Statusin e fëmijëve nën përkujdesjen e Republikës”, do të marrin rrogën e plotë të prindit”, deklaroi Rama. /j.p/

Aktualitet

Archives