“Fake News-i” për mbetjet/Meta: Fabrikime që kërkojnë të spostojnë vëmendjen nga çështje më të mëdha. Marrëveshja për ‘Zgjedhoren’, hap i rëndësishëm

Presidenti Ilir Meta e cilësoi një hap të rëndësishëm marrëveshjen e arritur mes palëve politike për Reformën Zgjedhore.

Nga Laçi, pas ceremonisë së vlerësimit të Famullisë së Shën Mhillit me Dekoratën “Nënë Tereza”, Meta iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me reformën zgjedhore duke u shprehur se do kishte pasoja nëse do të kishte një reformë të njëanshme zgjedhore.

“Mendoj që është hedhur një hap shumë i rëndësishëm përpara. Këtu kam parasysh që cilat do të ishin pasojat nëse nuk do të kishim pasur një marrëveshje konsensuale midis palëve. Ndoshta ka shumë qytetarë që nuk janë shumë të lumtur sepse kanë pritur ndryshime më thelbësore në sistem, por fakti që kemi një marrëveshje konsensuale është pozitiv po të kemi parasysh se cilat do të ishin pasojat e menjëhershme të kalimit të njëanshme të një reforme zgjedhore. Pasojat do të ishin shumë të rënda. Në radhë të parë do të zeronin mundësitë për çeljen e negociatave me BE dhe së dyti do të radikalizonin më tej situatën e brendshme që kështu siç ka qenë edhe është mjaft e tepërt për këtë komunitet, për këtë popull me kaq shumë probleme sociale për të përballuar më tej”, tha ai.

Duke theksuar se në Shqipëri është hedhur një hap shumë i rëndësishëm përpara, Meta tha se “duhet vazhduar me të gjithë hapat e tjerë që garantojnë zbatimin e këtij kodi, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Njëkohësisht, duhet vazhduar me të gjithë çështjet e tjera që kanë të bëjnë me përshpejtimin dhe çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian sepse ky është një qëllim kryesor i të gjithë popullit shqiptar dhe udhëheqësit politikë duhet të përgjigjen”.

Më tej, ai shtoi se “ky hap i parë i hedhur në këtë mënyrë pozitive të vazhdojë për të garantuar zgjedhje plotësisht të lira dhe të ndershme sepse në fund fare dihet që zbatimi i kodit është një kusht madje edhe më i rëndësishëm se vetë konsensusi i kodit’.

Ndërsa interesit të gazetarëve lidhur me zbulimin nga antimafia italiane se shkrimi i tre viteve më parë për kontejnerët me mbetje nga Italia në Shqipëri ishte fake news i porositur nga këshilltari i tij Ilir Kulla, Meta tha se “nuk kam ndërmend të merren me “fake news”.

“Nuk kam ndërmend të merren me “fake news” as të mediave italiane, as të mediave shqiptare, por kam çështje shumë më të rëndësishme për t’u marrë sesa fabrikime që kërkojnë të spostojnë vëmendjen nga çështje më të mëdha që ka Shqipëria, demokracia e saj dhe qytetarët tanë”, deklaroi Meta. ATA

Aktualitet

Archives