“Djegia e mandateve minon rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE”

Drejtori i përgjithshëm për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Christian Danielsson, në një konferencë për mediat në Tiranë, deklaroi se vendimi i opozitës për të djegur mandatet parlamentare në bllok minon rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA). 

Danielsson gjatë vizitës së tij realizoi takime me zyrtarë të lartë të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të partive politike, ndërsa sipas tij, është fatkeqësi që “Shqipëria gjendet në pasiguri dhe mungesë stabiliteti politik”. 

“Qershori është pak muaj larg dhe shtetet anëtare do të diskutojnë ecurinë e Shqipërisë në lidhje me reformat kyçe. Ne u kemi kërkuar forcave politike që integrimin evropian si dhe të gjitha përpjekjet në lidhje me reformat t’i bëjnë një objektiv kombëtar për të gjithë vendin. Është fatkeqësi që sot Shqipëria gjendet në kurth nga një pasiguri dhe një mungesë stabiliteti politik. Të gjitha forcat politike në vend duhet të marrin vendime të përgjegjshme, të cilat do ta lejojnë Shqipërinë që të vazhdojë të japë rezultate në lidhje me reformat”, tha Danielsson. 

Ai u shpreh se udhëheqja e përgjegjshme është e vetmja mënyrë për të krijuar një trajektore për fatin e vendit dhe për ta sjellë në tryezën e negociatave me BE-në. 

Duke folur për vendimin e opozitës për dorëzimin e mandateve parlamentare, Danielsson nënvizoi se ky veprim minon në mënyrë serioze rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE. 

“Në takimet që kam pasur sot, unë kam qenë shumë i qartë. Pasiguria duhet tejkaluar në formë urgjente dhe jeta normale demokratike e vendit duhet restauruar. Parlamenti është shtyllë e shtetit, është motori i çdo demokracie të pjekur dhe duhet të jetë vendi ku diferencat politike diskutohen dhe çohen përpara. Duhen krijuar kushtet për një dialog konstruktiv në Kuvend. Bojkoti i Kuvendit është kundërproduktiv dhe minon përpjekjen e reformave të Shqipërisë”, deklaroi Danielsson. 

Sa i përket protestave të opozitës, Danielsson bëri një apel “që protestat të jenë paqësore dhe të mos bëhet thirrje për dhunë”. “Është e rëndësishme që protestat të jenë paqësore dhe përgjegjësit të mos bëjnë thirrje për dhunë. Nxitja e dhunës është një shqetësim i madh për ne”, përfundoi Danielsson. 

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Christian Danielsson zhvilloi takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me liderin opozitës dhe kryetarin e Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha dhe kryetaren e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi. 

Kujtojmë se deputetët e partive opozitare, të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, vendosën të japin dorëheqje nga mandatet e tyre parlamentare, ndërsa ky vendim është kundërshtuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE). 

Disa ditë më parë edhe një Delegacion i Komisionit të Çështjeve të Jashtme të Parlamentit Evropian vizitoi Shqipërinë, duke e kundërshtuar bojkotin nga opozita të Kuvendit të Shqipërisë.

Aktualitet

Archives