Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, mesazhe urimi nga liderët politikë shqiptarë

5 shtatori, dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës është uruar edhe nga liderët politikë.

Me një foto të veçantë, Kryeministri Edi Rama ka uruar ditën e Shenjtërimit të humanistes së madhe shqiptare.

“Gëzuar Ditën E Shenjtërimit Të Nënë Terezës”, shkruan Rama.
Meta: Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës, ditë feste për mbarë kombin shqiptar

Në mesazhin e urimit, Presidenti Ilir Meta e quan 5 shtatorin si një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, por edhe për të gjithë njerëzimin.

“Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, botën katolike dhe njerëzimin. Është dita e përkujtimit dhe respektit ndaj veprës së ndritur dhe të paharruar, humane e hyjnore, të simbolit të nënës shqiptare, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes, ndaj kujtdo që vuan dhe ka aq shumë nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale. Me madhështinë e thjeshtësisë së saj, Shën Nënë Tereza është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, sociale, e pranë halleve të përditshme të qytetarëve. Ashtu siç na porosit e bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë: “Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi. E djeshmja iku. E nesërmja nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të tashmen. Le të fillojmë!”, shprehet ai.

Meta ka qenë i pranishëm në meshën e mbajtur në Bizë (Ishëm) nga Padre Serxhio, për Shën Nënë Terezën. “I lumtur ta nisja ditën me pjesëmarrjen në meshën e mbajtur në Bizë (Ishëm) nga Padre Serxhio, për Shën Nënë Terezën”, njoftoi ai.

Ruçi: Shën Tereza, heroina e dhimbjes, apostullja e të varfërve

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përkujtoi sot Shën Terezën në 22 vjetorin e ndarjes së saj nga jeta.

“Më 5 shtator 1997 kombi shqiptar dhe gjithë bota, të varfërit, të sëmurët dhe të pambrojturit anembanë Globit humbën Nënë Terezën. Rreth dy dekada më vonë Papa Françesku do të na e “kthente” të gjithëve, tanimë Shenjtoren Tereza, e cila do të vazhdojë përjetësisht tu japë dritë, buzëqeshje, besim e shpresë miliarda njerëzve, adhuruesve e besimtarëve”, shprehet Ruçi.

“Shën Tereza ishte heroina e dhimbjes dhe e dashurisë njerëzore, apostullja e të varfërve, e të dobtëve dhe e të pambrojturve.Shën Tereza ishte dhe do të jetë përjetësisht inspirim sipëror i humanizmit, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë”, vijon Kreu i Kuvendit.

“Ne, shqiptarët, kemi një arsye më shumë për ta kujtuar e për tu krenuar me këtë grua, nobeliste, Nënë dhe Shenjtore, me margaritarin më të çmuar të kombit tonë. Është detyra dhe nderi ynë që t’i bëjmë pjesë të jetës, pasurisë sonë shpirtërore kombëtare dhe sjelljes e veprimeve tona të përditshme mësimet e saj”, shton Ruçi.

“Të udhëhiqemi e ndriçohemi nga dashuria e toleranca dhe të mos na errësohen gjykimet nga mëritë dhe urrejtja”, thekson Ruçi.

Shenjtërimi i Nënë Terezës/ Basha: Sot një ditë reflektimi

Kryetari i PD, Lulzim Basha në mesazhin e tij për 3 vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës shprehet se “sot është një ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare”.

“U mbushën 3 vjet nga ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës, 4 shtatorin e 2016-s. Vatikani caktoi si ditë të së Shenjtes më të re të katolikëve 5 shtatorin, ditën kur ajo më 1997-n, shkoi në amëshim. Emocionet e shenjtërimit të Nënë Terezës, i kam të gjalla. Atje, në Selinë e Shenjtë pashë krenarinë shqiptare që shfaqej kudo, në rrugë, me flamuj, me besim dhe me energji, një krenari shqiptare për dhuratën që i kishim bërë njerëzimit. Një bijë shqiptare, një gjak prej gjakut tonë ishte bërë shenjtore, frymëzimi ynë dhe i mbarë qytetërimit për t’ju përkushtuar ndihmës dhe shërbimit ndaj të varfërve, të pamundurve, të sëmurëve”, shprehet Basha.

Më tej, ai thekson se “edhe atë ditë, edhe sot, nuk mund të mos kujtoj vlerësimin e Shenjtit Gjon Pali II për Nënë Terezën. Ishte pikërisht ai, që vetëm dy vjet pas largimit në amëshim, shpalli kundër çdo tradite të Selisë së Shenjtë nisjen e procedurave për lumturimin e Misionares së Dashurisë dhe këto procedura gjithashtu u mbyllën në kohë rekord në vitin 2002, vetëm 5 vjet nga 1997-a. Kur ishte Papa Gjon Pali II në Shkodër, më 1993-in, ai u tha të gjithë shqiptarëve: “Të dashur, nuk mund mos ta përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dini nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë… Ju falenderoj sot në emër të Kishës Katolike, ju falenderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…”.

“Sot pas 3 vitesh ndihemi njësoj krenarë si atë ditë, veçse më në vështirësi, më në borxh me trashëgiminë e Nënë Terezës. Sot është një ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare. Sepse kur nuk të bëhet më vonë për fatin e një njeriu, nuk të bëhet më vonë për fatin e të gjithëve. Këto vështirësi shoqëria shqiptare nuk i meriton, megjithatë, ne jemi populli i Nënë Terezës, e cila na ka lënë si testament edhe letrat e saj, ku na rrëfen se si duhet të përballojmë dyshimin dhe mungesën e shpresës”, shprehet Basha.

“Këmbëngulja dhe besimi se e mira ja del, triumfon mbi të keqen sado me propagandë e maskë tregtari të shitet ajo, gjendet në çdonjërën nga letrat sekrete të Nënë Terezës, të cilat Vatikani, në vendimin e tij për shenjtërim, i dëshmoi si “botëkuptimi i ri, dritarja e re për botën e saj të brendshme, një dritare që tregoi se sa heroike kishte qenë qëndresa e Nënë Terezës në besim dhe në Misionin e saj të Dashurisë”. “Si vjen paqja? Nëpërmjet punës që e bëjmë me dashuri”, rrëfente Nënë Tereza para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në vitin 1985, në momentin kur përfaqësuesit e Shqipërisë komuniste e braktisën sallën në shenjë proteste. Dhe puna me dashuri na solli krenarinë për Shenjtëreshën që i dhamë botës. Me dashuri do të përmbushim edhe detyrimin për të dalë nga kohët e vështirësisë ku gjendemi. Me dashuri dhe me frymëzimin që na jep Nënë Tereza. Tek Ajo gjejmë kombin, tek Ajo gjejmë historinë, tek revolucioni i dashurisë që kreu Nënë Tereza në botën tonë gjejmë besimin se ditëve të vështirësisë së pamerituar po u vjen fundi”, thekson ai. ata

Aktualitet

Archives