Dita e Demokracisë, Presidenti Meta: Çdo qytetar duhet të vendosë për të ardhmen e vet

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duke theksuar se “në themel të demokracisë qëndron vota”.

“Demokraci do të thotë që çdo qytetar të vendosë për të ardhmen e vet. Që çdo qytetar të ketë besim te roli i vet në demokraci. Që çdo qytetar të ketë mundësi për të ndikuar mbi vendimmarrjen. Për ta detyruar atë të jetë transparente, nëpërmjet llogaridhënies në çdo nivel vendor dhe kombëtar. Demokraci do të thotë që çdo qytetar të jetë i barabartë para ligjit”, tha Meta.

“Fatkeqësisht shumë nga këto parime e vlera që janë kolonat dhe zemra e botës demokratike, janë përçudnuar në vendin tonë. Zhgënjimi është i madh. Jo ndaj demokracisë që sollëm në dhjetor ’90, por ndaj formës së shëmtuar që ajo mori në 30 vite. Shpopullimi dramatik i Shqipërisë dhe humbja e shpresës, veçanërisht tek brezi i ri, është treguesi më i dhimbshëm dhe fatkeq. Shikoni ku jemi sot: të fundit në rajon para dyerve të BE-së. Dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi. Ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri”, shtoi Meta.

Duke vënë në dukje se liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë të panegociueshme, Meta tha se mbrojtja e demokracisë sot është një detyrë patriotike për t’i rikthyer besimin çdo qytetari dhe çdo të riu se e ardhmja më e mirë është vetëm këtu dhe kjo kërkon kontributin e secilit për ndryshim.

“Zgjidhja nuk është largimi, por zgjimi dhe ndryshimi”, tha Meta. ata

Aktualitet

Archives