Dialog midis qeverisë dhe opozitës në interesin më të mirë kombëtar

Presidenti Ilir Meta theksoi sot rëndësinë e dialogut dhe të bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës në interesin më të mirë e kombëtar.

Presidenti  Meta mori pjesë sot në Konferencën me temë “Politika e Mirë në Shërbim të Paqes” që u zhvillua në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” ku u prezantua mesazhi i Papa Françeskut për Ditën Botërore të Paqes 2019.

Në fjalën e tij, duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti i Republikës shprehu falënderimet dhe kënaqësinë e veçantë për ftesën e marrë për të qenë pjesë e kësaj aule, për të diskutuar rreth mesazheve të Atit të Shenjtë në Ditën Botërore të Paqes, duke theksuar se mesazhet e Papa Françeskut vënë në dukje se politika e mirë në shërbim të paqes, zhvillimit, mirëqenies dhe begatisë është një mision akoma i papërmbushur, për të cilin të gjithë duhet të përpiqemi dhe ndaj të cilit kemi detyrim jo vetëm moral, por dhe kombëtar.

“Një paqe e sigurtë, afatgjatë dhe e qëndrueshme për të cilën ka nevojë shoqëria, vjen vetëm atëherë kur të drejtat, liritë, aspiratat, pritshmëritë dhe nevojat e qytetarëve garantohen dhe promovohen vetëm përmes sundimit të shtetit të së drejtës dhe mirëqeverisjes, jo duke keqpërdorur shtetin për përfitime të pushtetit”, tha Presidenti Meta.

“Meqenëse jemi në fillim të këtij viti, por edhe të sesionit të ri parlamentar, mbështes plotësisht mesazhin e Imzot Frendos për rëndësinë e dialogut dhe të bashkëpunimit në interesin më të mirë e kombëtar, jo vetëm midis qeverisë dhe opozitës, por edhe për më shumë dialog kudo, në Kuvend, në shoqëri, në komunitet e në familje. Vetëm kështu do të kemi më shumë paqe dhe begati për të gjithë”, u shpreh Presidenti Meta.

Në këtë Konferencë ishin të pranishëm edhe Rektori Prof. Bruno Giardina, Presidenti i Fondacionit ZKM At Daniele Bertoldi, Nunci Apostolik Imzot Charles Broën, Presidenti i Konferencës së Peshkopëve të Shqipërisë, Imzot George Frendo, drejtori i gazetës “Avvenire; Shqipëria në sytë e botës 2018” Prof. Raul Caruso, trupa pedagogjike si dhe studentë të shumtë. ata

Aktualitet

Archives