Demiraj takon kreun e misionit vëzhgues të OSBE-së: Plan konkret masash për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj priti ambasadorin Peter Tejler, kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE-ODHIR dhe Polyna Lemos, zëvendës/kreu i misionit.

Ministri i Punëve të Brendshme Demiraj informoi ambasadorin Tejler për planin e masave për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 25 Qershorit, ku mbi 7.000 efektivë të Policisë së Shtetit janë trajnuar për detyrat konkrete gjatë procesit dhe janë dhënë porosi të veçanta për tre drejtori vendore në nivel qarku, për neutralizimin e problematikave nga subjekte, individë dhe grupe kriminale.

Nga ana e tij, shefi i misionit të vëzhguesve të OSBE-ODHIR Peter Tejler prezantoi objektivat e punës, rolin në procesin monitorues dhe raportues të 250 vëzhguesve dhe ndau pikëpamje në lidhje me fenomenin e shit-blerjes së votës dhe potencialin për të ndikuar në votim përmes presioneve të ndryshme. Ai theksoi se monitorimi në javën e fundit do të jetë më intensiv dhe një ditë pas zgjedhjeve do të dalin me një raport paraprak.

Ministri Demiraj garantoi mbështetje të plotë për misionin vëzhgues të OSBE-ODHIR dhe vuri në dukje garantimin e një procesi zgjedhor të sigurt, mospërfshirjen e Policisë në fushatë dhe ditën e zgjedhjeve, si dhe neutralizimin e mundësisë së blerjes së votës nga burime të paqarta, që mbetet prioriteti kryesor.

Ministri Demiraj informoi ambasadorin Tejler për sfidën e misionit të tij për shkak të situatës së krijuar gjatë viteve të fundit në Policinë e Shtetit dhe kontaminimit të një pjese të trupës policore në mosveprim apo përfshirje në kultivimin masiv të kanabisit gjatë vitit të kaluar.

Aktualitet

Archives