Dekretohet Ligji “Për Diasporën”, ja si do të organizohet puna përtej kufijve

Marrëdhënia e shtetit shqiptar me diasporën tani e tutje do të jetë e sanksionuar me një ligj të posaçëm.

Pas miratimit në kuvend, Presidenti Ilir Meta dekretoi Ligjin “Për Diasporën”, i cili mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, për pjesëmarrje më aktive në zhvillimet e vendit amë.

Ligji “Për Diasporën” , ndër të tjera, ka për qëllim përcaktimin e rregullave për kompetencat e autoriteteve shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën, krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor dhe arsimor të pjesëtarëve të diasporës.

Mbi bazë të këtij ligji, organet përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën janë: Këshilli i Ministrave, ministri përgjegjës për Diasporën, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Qendra Kulturore për Diasporën.

Cili është roli i secilit organ përgjegjës dhe si do të organizohet puna jashtë kufijve?

Këshilli i Ministrave do të jetë organi që do të përcaktojë politikat e vendit të origjinës për diasporën dhe mënyrat e politikat për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit shqiptar. Nga ana e tij, ministri përgjegjës për Diasporën, në këtë rast Pandeli Majko, do të propozojë nxjerrjen e akteve rregulluese dhe masa të tjera të nevojshme për marrëdhënien me diasporën.

Ndërkaq, ky i fundit do të mbikëqyrë zbatimin e Strategjisë për Diasporën dhe do të bashkëpunojë me ministritë e Kulturës dhe Punëve të Jashtme për ngritjen e qendrave kulturore, etj.

Roli i Agjencisë Kombëtare të Diasporës do të bëjë të mundur angazhimin e strukturave shtetërore për informimin dhe mbështetjen e diasporës. Mbështetja do të jetë e shtrirë qoftë në aspektin e organizimit të një baze të dhënash funksionale për diasporën, po kështu edhe në marrjen e masave koordinuese për realizimin e të drejtës së votës së diasporës me nënshtetësi shqiptare në zgjedhje. Me rëndësi është edhe inkurajimi i investimeve apo koordinimi i programeve për ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare.

Qendrat kulturore që do të krijohen për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të diasporës, do të ndikojnë në forcimin e lidhjeve të saj me institucionet shqiptare. Gjithashtu Këshilli Koordinues i Diasporës që do të përbëhet nga 15 anëtarë, përfaqësues të diasporës, do të merret me përfaqësimin dhe koordinimin e marrëdhënieve më diasporën. Pjesë e tij do të jenë gjithashtu kryeministri, presidenti dhe ministrat më të rëndësishëm.

Me këtë ligj konfirmohet vullneti për të konkretizuar një lidhje më të fuqishme institucionale ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës. ata

Aktualitet

Archives