Deklaratat e Metës/ Rama: Asnjë surprizë, i mirë për opozitën por jo për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk është i surprizuar nga deklaratat e presidentit Meta.

Në një intervistë televizive, i pyetur për klimën politike në vend Kryeministri Rama tha se, “nuk kam asnjë të dhënë nga klima politike në 1 kilometër katror nga Presidenca tek SHQUP-i”.

“Nuk kam të dhëna të veçanta por nuk kam asnjë çudi, janë konvulsione ciklike që shfaqen hera-herës nuk kam ndonjë gjë të veçantë për të thënë. Nuk është asgjë e panjohur, asgjë e paparë thjesht ndryshon teksti i këngës, por muzika vazhdon po ajo”, u shpreh ai.

I pyetur për deklaratën e presidentit që parlamenti duhet të vetëshpërndahet, Rama tha se, “fallxhoret i ka presidenti unë nuk hedh fall. Nuk kam asnjë surprizë dhe nga presidenti pres gjithçka. Nuk çuditem fare dhe sikur të deklarojë mbylljen e të gjithë kufijve. Ishte më i mirë në ato kushte dhe më i miri për opozitën siç e shikoni është. Për Shqipërinë jo”.

I pyetur nëse është gati të bëjë një marrëveshje të dytë me Bashën, Rama tha se, “në çdo sekondë, 17 maj, 17 prill, 17 mars, 17 qershor, 17 korrik. Çdo 17 jam gati, përveç 17 nëntorit se kemi Çlirimin e Tiranës dhe nuk merrem dot me kryetarin e dështuar”.

I pyetur për zgjedhjet e parakohshme, Rama tha se, “zgjedhjet e parakohshme janë marrëveshje me popullin shqiptar, me ata që na kanë besuar. Unë kam vetëm një gjë të parakohshme në kokë, rindërtimin sa më të parakohshëm”.

Në lidhje me deklaratën e Metës, që parlamentin do ta shpërndajë populli, Rama tha se, “po popullin ku e ka ky në whatsup. Në zgjedhjet e 30 qershorit, mund të na kishin dalë dhe 12 vetë dhe ne do vazhdonim punën sepse kemi bërë disa herë këtë diskutim”. ATA

Aktualitet

Archives