COVID-19, Shkodër/ Mblidhet Komisioni i Emergjencave Civile, masa shtesë për kufizimin dhe kontrollin e lëvizjeve të qytetarëve

Bashkia e Shkodrës ka shtuar masat kufizuese për lëvizjen e qytetarëve me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 pas shtimit të rasteve ditët e fundit.

Zëvendësministri i Brendshëm, koordinator për situatën në qarkun e Shkodrës, Besfort Lamallari në një prononcim për mediet së bashku me kryetaren e bashkisë, Voltana Ademi, pas mbledhjes së Komisionit të Emergjencave Civile tha se duke nisur nga nesër do të përgjysmohet numri i tregtarëve që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në lagjen “Rus”.

“Në tregun pranë merkatës së Rusit duke filluar që nesër, datë 14.04.2020, në treg do të tregtojnë një ditë tregtarët që kanë kontratë për hapësirë tregtimit të shënuar me numër çift dhe ditën tjetër tregtarët që kanë kontratë për hapësirë tregtimit të shënuar me numër tek”, tha Lamallari.

Lamallari tha se u kërkohet të gjithë tregtareve të mos ekspozojnë mallrat dhe produktet ushqimore dhe industriale jashtë dyqaneve, në hapësirën publike.

Lamallari po ashtu bëri të ditur se ndalohet tregtimi dhe hapja e tregut “Zdrale” për një periudhë dyjavore, për subjektet që shesin me pakicë dhe me shumicë në këtë treg.
Po ashtu ai kërkoi lirimin e hapësirës publike për një periudhë dyjavore.

Kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi tha se ne po kërkojmë të ndërmarrim masa shtesë përveç atyre të përcaktuara në Aktet Normative për të parandaluar shtimin e rasteve të personave të prekur me COVID-19.

“Të gjithë subjekteve tregtare në Shkodër u kërkohet respektimi i masave higjieno-sanitare të shitjes së produkteve ushqimore dhe të tjera në ambientet e tregtimit, marrja e masave mbrojtëse shtesë për punonjësit që shërbejnë për klientët, përmirësimi i vijëzimit dhe për mbajtjen e radhës dhe distancës së duhur fizike orientuese për klientët si dhe ndalohet ekspozimi i produkteve ushqimore dhe industriale jashtë dyqaneve, në hapësirën publike”, vuri në dukje Ademi.

Të gjitha subjekteve, bareve dhe restoranteve, aktualisht të mbyllura në respektim të masave kufizuese, Ademi u kërkoi që sot, brenda ditës, të lirojnë hapësirën publike në përdorim, të largojnë të gjithë karriget dhe mjetet të tjera.

Po ashtu, ajo theksoi se të gjithë banorëve u kërkohet të pajisen me autorizimin përkatës dhe vetëm për të kryer shërbimet e blerjet e domosdoshme për familjen.

“Në rast mos zbatimi të këtij vendimi bashkia Shkodër do të veprojë me masat administrative përkatëse”, deklaroi Ademi.

Aktualitet

Archives