Nuk është çudi të dëgjojmë raste dhune në Shqipëri por situata është më alarmante siç duket.
Vetëm gjatë ditës së hënë në të gjithë vendin, 21 persona i janë drejtuar uniformave blu për të denoncuar dhunën e familjarëve.
Kryesisht gra që dhunohen nga burrat, nëna nga fëmijët, por edhe vjehrra nga nusja.
Vetëm në qarkun e Tiranës, që përfshin edhe Kavajën e Rrogozhinën, janë lëshuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes nga Gjykata.
Ndërsa në 2 raste të tjera të denoncuara, të dyshuarit kanë shkelur urdhrat e mbrojtjes e për rrjedhojë janë proceduar penalisht për dhunën në familje.
Në shumicën e rasteve janë gratë ato që denoncojnë bashkëshortët për dhunë të vazhdueshme fizike e psikologjike.
Por burimet thanë se gjatë të hënës në Policinë e Tiranës e në Komisariatin e Kavajës janë paraqitur edhe dy nëna që kërkojnë mbrojtje, pasi dhunohen nga fëmijët.