Brenda vitit miratohet ligji për amnistinë fiskale në Shqipëri

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se, brenda këtij viti qeveria do të miratojë ligjin “Për amnistinë fiskale dhe penale”.

Në një intervistë në medie, Ibrahimaj deklaroi se, ka kapitale cash, jashtë sektorit bankar që nuk janë në përdorim aktualisht, të cilat do të jenë stimul për nxitjen e ekonomisë.

Ajo vuri në dukje se, procesi për hartimin e një ligji “Për amnistinë fiskale dhe penale” ka nisur dy vite më parë.

“Edhe në atë moment ishte vit krize për shkak të pandemisë ashtu sikundër tani dhe këto vite të jashtëzakonshme kërkojnë vendimmarrje të tilla. Por nuk është vetëm situata ekonomike që ndikon vendimin për marrjen e një nisme kaq të rëndësishme. Ne kemi një ekonomi që ka punuar në informalitet për shumë vite. Ndërsa edhe mentaliteti i shqiptarëve nuk është i drejtuar drejt bankave. Flasim për një historik të gjatë të kulturës së individëve për të mos depozituar lekët në banka dhe mos besuar sistemit bankar. Bëhet fjalë për individë që kanë punuar në Shqipëri dhe jashtë saj. Ka kapitale cash jashtë sektorit bankar që nuk janë në përdorim aktualisht, pra nuk janë stimul për nxitjen e ekonomisë. Ne besojmë se ky është një moment i duhur për të injektuar këto kapitale në ekonomi, pasi përveç normave që do të aplikohen mbi shumat e deklaruara e që do të gjenerojnë të ardhura në buxhet, këto kapitale do të injektohen në ekonomi si investime në biznes apo imobiliare, të cilat do të kenë efektin zinxhir të duhur në ekonomi”, deklaroi Ibrahimaj.

Ajo theksoi se, kjo është një nismë që pavarësisht krizës, duhet ndërmarrë me qëllim rifillimin nga zero të një situate ekonomike që padyshim duhet formalizuar.

Përtej debateve, Ibrahimaj tha se, po përgatitet një draft që siguron se paratë e “pista” të mos hyjnë në sistem.

“Ka pasur shumë debate për këtë nismë, që për hir të së vërtetës është e debatueshme. Por ne mendojmë se kemi përgatitur një ligj që merr parasysh të gjitha pasiguritë e ngritura edhe nga partnerët ndërkombëtarë, pasi ka një listë të gjatë përjashtimesh për individë të cilët nuk mund të përfitojnë nga kjo amnisti, me qëllim që të eliminohen të gjitha pikëpyetjet mbi legalizimin e parave të “pista””, u shpreh ajo.

Ministrja tha se, janë bërë sistemime në draft që kanë ardhur si pasojë e rekomandimeve nga partnerët ndërkombëtarë apo edhe nga procesi i konsultimit publik.

“Do të jemi të kujdesshëm të finalizojmë një draft, por edhe të kemi një transparencë maksimale në zbatimin e amnistisë fiskale. Jemi të angazhuar që ky proces të jetë i duhuri dhe më transparenti. Jemi në proces të finalizimit të draft-ligjit dhe brenda vitit do të vijohet me hapat ligjorë për të miratuar pr/ligjin”, deklaroi Ibrahimaj.ata

Aktualitet

Archives