BQE-ja heq nga qarkullimi kartëmonedhën prej 500 eurosh

Prerja më e madhe e euros do të dalë nga qarkullimi. Kartëmonedha prej 500 eurosh nuk do të jetë më në qarkullim duke filluar nga viti 2018.

Vendimi është marrë nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) gjatë mbledhjes së mbajtur dje në selinë e institucionit në Frankfurt të Gjermanisë.

BQE-ja e ka marrë një vendim të tillë për të ashpërsuar luftën kundër aktiviteteve kriminale, sidomos financimin e terrorizmit, pastrimin e parave dhe evazionin fiskal.

Kartëmonedha ngjyrë vjollcë është prerja më e madhe e monedhës së bashkuar evropiane. Si e tillë, ajo mund të jetë një instrument i fuqishëm në duart e organizatave kriminale për aktivitete të jashtëligjshme, një shqetësim i ngritur disa herë ky nga vetë numri një i BQE-së, Mario Draghi.

Megjithatë prerja 500-euroshe nuk do ta humbasë vlerën e saj nominale dhe do të mund të shkëmbehet në bankat qendrore me bankënotat e tjera.

Kartëmonedha 500-euroshe renditet mes bankënotave me vlerën nominale më të lartë në botë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kartëmonedha me vlerën më të madhe është prerja 100-dollarëshe.

Aktualitet

Archives