Biblioteka për të verbërit në Beograd: Libri si një terapi

Endonezya Milli Kütüphanesi, 124 metre yüksekliğindeki 24 katlı binasında misafirlerini modern tasarımı ve son teknolojiyle donatılmış özellikleriyle ağırlıyor. ( Mahmut Atanur - Anadolu Ajansı )

Biblioteka “Dr Milan Budimir” në Beograd, me rreth 80.000 librat e saj është biblioteka më e madhe në Ballkan për personat e verbër, të cilët përmes këtyre librave mund të arsimohen por edhe më lehtë të integrohen në shoqëri, shkruan Anadolu Agency (AA).

E themeluar në vitin 1971 në kuadër të Unionit të personave të verbër të Serbisë, biblioteka në fjalë është emërtuar sipas akademikut të verbër, Milan Budimir.

Numri i madh i librave që ka në vitrina, rreth 80.000, e bëjnë këtë bibliotekë më të madhen e këtij lloji në Ballkan, ndërsa për veçoritë tjera, për AA ka folur kryetari i Unionit të personave të verbër të Serbisë, Millan Stoshiq.

“Nuk është më e madhja në aspektin e prestigjit, sepse nevoja e popullit tonë ka bërë të kemi një bibliotekë të madhe librash me rreth 80.000 botime në teknikat për të verbërit. Kjo do të thotë se janë në alfabetin Braj dhe në formatet audio, megjithëse kemi libra edhe në shtypin e zi”, tha Stoshiq.

Siç bëri të ditur ai, biblioteka punon në parimin e dërgimit të librave në adresë të anëtarëve të saj anembanë Serbisë, të cilët pasi e lexojnë e kthejnë me postën pa pagesë.

“Jo vetëm anëtarëve të Unionit që në Serbi janë 12.000, por dërgojëm edhe në adresa të ndryshme në rajon dhe më gjerë, madje edhe në kontinente tjera ku jetojnë njerëzit tanë. Kemi përdorues në Amerikë dhe në Australi”, shtoi më tej Stoshiq.

Më shumë se një bibliotekë e thjeshtë – libri si një integrues në shoqëri

Në bibliotekë mund të gjesh libra për të gjithë, nga libra për fëmijët e moshës parashkollore, deri tek të moshuarit, përfshirë tekste shkollore, revista dhe lektura. Në raftet mund të gjeni botime të zhanreve nga më të ndryshme, beletristikë, shkencë, ndërsa të veçantë e bëjnë veprat filozofike, por edhe Bibla dhe Kur’ani.

“Kjo është e një rëndësie të veçantë për njerëzit e verbër dhe me shikim të dëmtuar, pasi një numër i madh i anëtarëve tanë nuk lidhen me librin vetëm në kuptimin arsimor, por në çdo lloj tjetër. Disa personave libri u shërben si një terapi, pasi thjeshtë, ata nuk munden pa një libër”, tha Stoshiq.

Siç thotë ai, përmes librit, diturisë dhe arsimimit, një i verbër kompenson mungesën e të pamurit dhe në këtë mënyrë më lehtë integrohet në shoqëri dhe kjo e bën këtë bibliotekë të veçantë.

“Për çdo vit ne planifikojmë pasurimin e fondit me 200 tituj të rinj në alfabetin Braj por edhe në formatin audio”, shtoi më tej Stoshiq.

Së shpejti huazimi online i librave

Përveç zhanreve të ndryshme të librave, biblioteka ndjek edhe trendet më të reja, për çka aktualisht është në procesin e digjitalizimit të librave.

“Ky është një proces i cili tashmë po zgjat për 5-6 vjet, ku kemi arritur të transformojmë në formate të reja rreth dy të tretat e librave. Në dy vitet e ardhshme, ne planifikojmë të përfundojmë plotësisht këtë proces, duke e digjitalizuar bibliotekën tonë, por gjithashtu të krijojmë një bibliotekë online, kështu që anëtarët tanë mund ta përdorin këtë bibliotekë”, tha Stoshiq.

Ai sqaroi se përveç në Beograd, biblioteka të tilla ka edhe në Banja Llukë, Zagreb dhe në Podgoricë, me të cilat dhe bashkëpunojnë duke shkëmbyer mes vete titujt të cilët nuk i posedojnë në bibliotekat e tyre.

Kryetari i Unionit të personave të verbër të Serbisë, Millan Stoshiq, tha se biblioteka “Dr Milan Budimir” është në fazën e ratifikimit të Marrëveshjes së Marakeshit, që parasheh një ligj për të drejtat autoriale dhe këmbimin e librabve me të gjitha bibliotekat në botë, i cili tashmë është ratifikuar nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.

Aktualitet

Archives