Basha: Shteti ka rënë! Policia në luftë me popullin, jo me krimin

“Shteti ka rënë, sot Shqipëria nuk ka rend publik dhe sigurie, policia është kthyer në një bandë që i ka lënë dorë të lirë krimit dhe po dhunon në mënyrë shtazarake qytetarët”.

Kështu tha në një dalje të sotme për mediat, kryedemokrati Lulzim Basha.

Ai deklaroi se ditën e djeshme në orën 05.30 të mëngjesit, policia hyri nëpër banesa dhe hodhi gaz lotsjellës brenda shtëpive të banorëve të Bregut të Lumit që preken nga zgjatimi i Bulevardit të Ri, ku ishin të pranishëm edhe të mitur nga mosha 3 vjeç e sipër.

Po ashtu  shtoi se dhjetë qytetarë u shoqëruan në polici të gjitha gra dhe katër prej të cilave minorene dhe një fëmijë 5 vjeç.

Lidhur me grabitjen e bujshme të djeshme, ai tha se kur në Rinas, që është zona me sigurinë më të lartë në vend kryhet grabitje me armë e avionit të linjës ndërkombëtare në mes të ditës, çdokush e kupton se në çfarë niveli është policia, se në çfarë niveli është katandisur rendi dhe siguria.

Ai tha se në këto dy muaj është përdorur gaz helmues më shumë se në të gjithë historinë e Shqipërisë dhe se ndërkohë nuk ka asnjë përpjekje për të luftuar krimin.

Sipas tij, vrasjet, tritoli dhe grabitjet me armë në mes të ditës po trondisin çdo ditë sigurinë e njerëzve në mes të qyteteve dhe se i vetmi aktivitet kundër krimit është “Policia shkoi në vendin e ngjarjes”.

“Dhënia fund e këtij regjimi është sot emergjencë kombëtare. Prandaj protestojmë të shtunën më 13 prill në Tiranë. Rruga e vetme për këtë është bashkimi i të gjithë shqiptarëve në betejën kundër padrejtësisë, krimit dhe korrupsionit, për sigurinë, jetën dhe mirëqenien e çdo shqiptari”, tha në mbyllje Lulzim Basha.

Aktualitet

Archives