Barnat pa recetë, merren masa administrative për 56 farmaci

Një ditë pas denoncimit të BOOM për shitjen e barnave pa receta, në shkelje të hapur të ligjit për barnat dhe shërbimet farmaceutike në vendin tonë, ministria e Shëndetësisë ka dalë me një njoftim, ku ka bërë publike masat e marra nga task forca.

Ministria e Shëndetësisë thotë se që nga krijimi i Task Forcës 1 muaj më parë, janë kontrolluar 115 farmaci në të gjithë vendin, ku janë marrë masa për 56 subjekte.

Kontrollet kanë qenë të fokusuara kryesisht te plotësimi i kushteve të ruajtjes dhe monitorimit të barnave, të kushteve higjieno-sanitare, kontrollin e barnave mbi pullën e sigurisë, kontrollin për tregtimin e barnave pa recetën e mjekut.

“Gjatë kontrollit të farmacive janë konstatuar disa shkelje, për të cilat janë marrë 56 masa për shkelje administrative, prej të cilave, 20 masa për tregtim të barnave pa recetë, 18 masa për mungesë të recetave sipas klasifikimit, 13 masa për tregtim të barnave pa pullë dhe 5 masa për subjektet për mosrespektim të kushteve të ruajtjes së barnave”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Task-Forca për kontrollin e barnave, është e përbërë nga përfaqësues të disa institucioneve, ku përfshihen për herë të parë edhe inspektorë të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, që do të ushtrojnë kontrolle në çdo subjekt farmaceutik.

Ministria thotë se kontrollet do të shtrihen në të gjithë vendin, me qëllim garantimin e sigurisë së tregtimit të barnave për qytetarët në të gjithë vendin. oranews

Aktualitet

Archives