Barcelona mendon rikthimin e Neymar

Pas zyrtarizimit të trajnerit Valverde, drejtuesit e Barcelonës po mendojnë për të rikthyer brazilianin Neymar. Kapiteni i Real Madrid, Ramos i premton besnikëri klubit mbretëror.

Pasi i besuan stolin të paktën edhe për sezonin e ardhshëm teknikut Valverde, drejtuesit e skuadrës së Barcelonës po mendojnë për rikthimin në skuadër të Neymar. Ylli i Paris Saint Germain nuk ka përmbushur pritshmëritë në dy sezone tek kampionët në fuqi të Francës.

Në kampin katalanas janë të vetëdijshëm se një operacion i tillë ka një kosto të jashtëzakonshme, por e kanë gati planin për të reduktuar kërkesën e PSG. Klubi spanjoll ofron shërbimet e Dembele plus diferencën për të nënshkruar me brazilianin. Rikthimi i sulmuesit të talentuar në Camp Nou do të formonte sërish treshen e famshme MSN, të cilët triumfuan edhe në Ligën e Kampionëve plot 4 vite më parë.

Largimi i dyshes veterane Robben dhe Ribery nga Bayerni ka lënë një hapësirë që duhet mbushur me patjetër. Drejtuesit e kampionëve në fuqi të Gjermanisë kanë shfaqur hapur interesimin për sulmuesin që aktivizohet tek Manchester City në Angli, Sane. 23-vjeçari nuk është në planet e Guardiolës dhe largimi në merkaton verore është i padiskutueshëm.

Gjithsesi në kampin bavarez po shohin edhe për mundësi të tjera ku spikat ylli i juventusit, Paulo Dybala. 24-vjeçari zhvilloi një sezon për t’u harruar dhe nuk e përjashton mundësinë e largimit nga “Zonja e vjetër”. Bayern është i gatshëm të investojë plot 80 milionë euro për shërbimet e mëngjerashit ndërkohë që Juventus nuk e lë të lirë lojtarin për ofertat nën 100 milionë euro.

E ardhmja e kapitenit të Real Madrid, Sergio Ramos është kthyer në një telenovelë, fundi i së cilës nuk dihet. Ditën e sotme është mbajtur një tjetër takim mes Ramos dhe presidentit Perez ku mediat spanjolle raportojnë se qendër mbrojtësi ka deklaruar se do të qëndrojë në Madrid dhe do të mbyllë karrierën tek klubi që luan prej 15 sezonesh. Pak ditë më parë raportohej se iberiku kishte pranuar një ofertë nga Kina ku do të përfitonte 35 milionë euro në sezon./abc news/

Aktualitet

Archives