Autoritetet shqiptare shprehin vlerësime maksimale për humbjen e Adem Demaçit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Adem Demaçit.

Në një mesazh ngushëllimi, kreu i shtetit shqiptar shprehet se kombi ka humbur sot atdhetarin e flaktë dhe simbolin e qëndresës shqiptare.

Jam thellësisht i hidhëruar nga lajmi i ndarjes nga jeta të emblemës së qëndresës shqiptare, Adem Demaçi. Kosova dhe mbarë shqiptarët përjetojnë sot me dhimbje të thellë humbjen e simbolit të rezistencës kombëtare, të luftës për liri dhe të njëprejpersonaliteteve më të vlerësuara në arenën botërore”, – është shprehur Presidenti Meta.

Më tej, në mesazhin e tij thuhet se “Patrioti Adem Demaçi mbetet frymëzim për të gjitha brezat e shqiptarëve, një shembull dhe një model kombëtar i skalitur në historinë e shqiptarëve dhe të luftës kombëtare për pavarësinë e Kosovës”.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama ka shprehur vlerësimet për figurën e Adem Demaçit, duke e cilësuar vdekjen e tij si mbylljen e një historie të jashtëzakonshme të një rebeli të llojit më të rrallë.

Kreu i qeverisë ka shprehur konsideratat e tij ndaj figurës së Adem Demaçit në rrjetin social “Facebook” duke shkruar:

Me vdekjen e Adem Demaçit mbyllet historia e jashtëzakonshme e një rebeli të llojit më të rrallë; shqiptar i llojit më të mirë, burrë i llojit më të veçantë, mik i llojit më të lartë. Pas një jete prej stuhie pambarim, ai u tret ngadalë e iku si zotnia që i tha të gjitha #RESPEKT”, përfundon kryeministri Rama.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Adem Demaçit.

Veliaj e ka konsideruar ndarjen nga jeta të tij, si një humbje të madhe për të gjithë shqiptarinë. Më herët, bashkia e Tiranës i kishte akorduar titullin “Qytetar Nderi”, Adem Demaçit.

Prehu në paqe Baca Adem! Shqiptaria humbi sot një njeri të rrallë, një mendje të bukur e një zemër të hapur! Adem Demaçi nuk ishte për bashkinë e Tiranës vetëm i fundit Qytetar Nderi, por një nder i paçmuar për këdo në Kosovë, Shqipëri e kudo dëgjohej me ëndje fjala e tij, – ka shkruar kryetari i bashkisë së kryeqytetit. trt

Aktualitet

Archives