Athinë, mbeten problem varrezat e myslimanëve

Refugjatët e ardhur në Greqi si pasojë e konflikteve në vendet e tyre për shkak të mungesës së një varreze për muslimanët, të vdekurit e tyre i varrosin në vend me largësi prej qindra kilometrash, raporton Anadolu Agency. Fakti që pengesat burokratike dhe ligjore nuk kanë lejuar hapjen një varreze muslimane në kryeqytetin e Athinës për vite me radhë, ka ndikuar thellë në jetën e muslimanëve që janë strehuar pak kohë më parë në këtë vend.

Çifti refugjat sirian Muhammed Leggar dhe Semah Eshadi nuk ka mundur të shkojë as në funeralin e foshnjës së tyre. Nënës i vdes foshnja në bark në muajin e tetë të shtatzënisë.

Babai Leggar ka shpjeguar për gazetarin e AA-së se kanë mbërritur në Greqi pas një udhëtimi të vështirë dhe të rrezikshëm nga Halepi i Sirisë.

Duke kujtuar se ata kanë përjetuar pikëllimin e humbjes së foshnjës së tyre në momentin që kanë gjetur një vend të sigurtë, Leggar tha se ata kanë qenë të detyruar të dërgonin trupin e vdekur të foshnjës në një vend që nuk e njohin në qytetin e Komotinit në Thrakinë Perëndimore.

Muhammad Leggar, ka deklaruar se ai ka qenë i detyruar të shoqërojë bashkëshorten e tij në spital, gjendja shëndetësore e të cilës nuk është përmirësuar ende dhe nuk ka mundur të merrte pjesë në funeralin e foshnjës. “Jemi shumë të pikëlluar si unë ashtu edhe bashkëshortja. Shumë ëndrra që kishim, kur erdhëm këtu u shkatërruan”, tha ai.

Pasi ka vënë në dukje se janë larguar nga lufta e brendshme e cila vazhdon prej vitesh në Siri për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe një të ardhme më të mirë për fëmijën e tij, 33 vjeçari me origjinë palestineze Leggar tha: “Nuk jam ndier ndonjëherë më i huaj se këtu. Nuk kam gjetur as mundësinë që të marr pjesë në mortin e fëmijës tim. Është varrosur në një vend disa kilometra larg. Madje as edhe një Fatiha pranë varrit nuk kam mundur t’ia lexoj”.

Duke theksuar se ai kurrë nuk kishte dëgjuar për qytetin e Komotinit dhe nuk e dinte vendndodhjen e varrit të fëmijës së tij, Leggar tha se do të donte ta vizitonte varrin e fëmijës së tij sapo t’i jepej një mundësi.

“Mbledhim para për procesin e varrimit”

Pavarësisht se ky problem është i ri për ata që banojnë në Greqi pas mbylljes së kufijve pas rrjedhës së fundit të refugjatëve, ky problem ka vazhduar për dekada për rreth 300 mijë muslimanë që jetojnë në Athinë.

Egjiptiani Abdulsaid Abdurrahim i cili jeton afërsisht prej 25 vitesh dhe është imam në një mesxhid në lagjen Kalithea të Athinës ka vënë në dukje se problemi i varrezave madje është edhe më i rëndësishëm se problemi për xhami.

Pasi ka shpjeguar se arkivolet e disa muslimanëve kanë mundur t’i dërgojnë në vendet e tyre nëpërmjet ambasadave, Abdurrahim tha se “Shpenzimet për funeralin mbulohen vetëm nga disa vende. Kjo nuk është e mundur për çdo vend. Për shembull nuk është e mundur për vendet si Siria, Pakistani dhe Afganistani. Në këto raste arkivolet dërgohen në varrezat në Komotini ose në Ksanthi”.

“Shpenzimet na vendosin në vështirësi të madhe. Të gjitha këto procese arrijnë afërsisht 1.500 euro. Në shumicën e rasteve këta njerëz janë të varfër. Në situata të tilla përpiqemi të balancojmë paratë për varrimin mes nesh. Por, ne ende e kemi shumë të vështirë”, thotë Abdurrahim duke tërhequr vëmendjen se situata në fjalë ka shpenzime në shumë aspekte.

Ai thekson se problemi vazhdon që prej shumë vitesh pavarësisht se janë dhënë premtime të ndryshme. Abdurrahim ka shtuar më tej se “Ne dëshirojmë më shumë një varrezë sa sa një xhami. Kur kemi aplikuar na thanë se do ta rregullojnë. Por, pavarësisht se kanë kaluar vite problemi ende nuk është zgjidhur”.

Athina është kryeqyteti i vetëm në Evropë ku nuk ka varreza për muslimanët.

Aktualitet

Archives