Arrihet paqja Putin-Erdogan, Rusia heq sanksionet ndaj Turqisë

Planifikohet që presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin të takohen para Samitit të G20 që do të mbahet më 4-5 shtator të këtij viti në Hangzhou të Kinës.

Duket se telefonata që kreu i Kremlinit bëri për t’i shprehur ngushëllimet e rusëve për tragjedinë e Stambollit ka depërtuar në ofensivën diplomatike të presidentit turk për ripërtëritjen e marrëdhënieve.

Gjatë bisedës, Putin tha se pajtohet plotësisht me mesazhet që presidenti Erdogan i dha mbrëmë në lidhje me luftën kundër terrorit dhe se Turqia dhe Rusia si shtete të mëdha të rajonit, kanë gjëra që duhet t’i bëjnë.

Në bisedën mes dy liderëve, spikasin mesazhet e presidentit rus Putin: “Gjendja aktuale nuk ishte në dobi të asnjërit prej shteteve. Ta hapim një faqe të re. Ndiej kënaqësi që biseduam sërish”.

Paqja është tashmë e konfirmuar, nisur edhe nga fakti se së shpejti do të zhvillohet një takim kokë më kokë mes dy liderëve, që do të shoqërohet me heqjen e sanksioneve ruse ndaj Turqisë. “I kam kërkuar qeverisë ruse që t’i heqë”, ka deklaruar presidenti Putin.

Kanë kaluar thuajse 7 muaj që nga rrëzimi i avionit “Sukhoi Su-24” nga aviacioni turk në afërsi me kufirin sirian. “F-16” i ngritur në ajër nga Ankaraja hapi zjarr ndaj gjuajtësit të Moskës për shkelje të hapësirës ajrore turke.

Rrëzimi i avionit shkaktoi një krizë diplomatike shumë të rëndë, duke i dhënë jetë një seri sanksionesh nga ana e Moskës, aviacioni i të cilës kishte lokalizuar disa herë përmes radarëve avionët turq në qiejt sirianë, duke dhënë mesazhin: jemi gati të reagojmë fuqishëm.

Aktualitet

Archives