Arqipeshkvi Massafra mesazh për Krishlindjet: Të reflektojmë për një Shqipëri më të mirë, tërmeti nuk ka fuqi të na vrasë shpresën

“Mesazhi që këtë vit dëshiroj t’ju drejtoj me rastin e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri kushtëzohet prej ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipëri, në veçanti prej tërmetit të tmerrshëm që shkaktoi jo pak viktima e la pas plagë e brishtësi për shoqërinë shqiptare. Megjithatë, edhe pse ka zbehur gëzimin e këtyre festave, nuk ka aq fuqi sa ta vrasë shpresën tonë”.

Më këto fjalë e nis mesazhin e urimit Arqipeshkvi i dioqezës Shkodër-Pult Imzot Angelo Massafra drejtuar besimtarëve katolikë dhe gjithë shqiptarëve në vigjilje të Krishtlindjes.

“Të gjithë i shohim gjestet e solidaritetit, që populli ynë ka bërë gjatë tërmetit të fundit, krahas solidaritetit që kemi marrë prej shumë shteteve të tjera. Por njëkohësisht të gjithë i shohim edhe gjërat negative që po ndodhin në vendin tonë. Megjithatë, të fortë prej vetëdijes se jemi në duar të Zotit që nuk na braktis dhe të bindur për aftësinë tonë për të bërë mirë, nuk mund të humbim shpresën dhe të bëjmë disa reflektime të rastit”, – thekson Arqipeshkvi Massafra.

Arqipeshkvi Massafra u shpreh se “kush e di nëse katastrofa natyrore që na ka goditur një muaj më përpara nuk mund të shërbejë si “shkundje”, me qëllim që Shqipëria jonë t’i hapet një kohe ku interesi për të mirën e përbashkët të bëhet më i madh se ai për të mirën private, ku strukturat që janë krijuar për mbrojtjen e jetës të funksionojnë në mënyrë efikase dhe ku formimi i punonjësve, i teknikëve dhe i vullnetarëve në raste emergjencash të merret seriozisht. Kush e di nëse gjithë kjo rrëmujë shoqërore që jemi duke përjetuar në këtë moment nuk favorizon formimin dhe specializimin në artin e politikës të personave pa interesa personale, por me një dashuri të madhe për Atdheun, të gatshëm për t’u vënë në drejtimin e Vendit?. Kush e di nëse largimi nga vendi i shumë të rinjve dhe i shumë familjeje nuk është një rast për ata që qëndrojnë që ta rishikojnë gjendjen aktuale të vendit dhe ndërgjegjet t’i hapen një bashkëpunimi faktik mes qytetarëve dhe Shtetit për të përmirësuar realitetin ekzistues, duke ndalur këtë fluks që shprehimisht është duke varfëruar tokën tonë prej atyre energjive të reja dhe jetësore për të cilat ajo ka nevojë?”.

Më tej, Massafra thekson se “nuk ekziston asnjë kategori personash që nuk mund të japë kontributin e vet: secili për sa i takon dhe sipas mundësive të veta mund dhe duhet të ndihet bashkëpërgjegjës në mbarëvajtjen e Vendit; si fillim duhet të ndryshohen të gjithë ato qëndrime që e pengojnë Shtetit që të bëjë detyrën e vet: para së gjithash inati ndaj institucioneve, pastaj mendësia mafioze e shit-blerjes së favoreve, pasi një favor që më bëhet mua është një akt padrejtësie që i bëhet dikujt tjetër: me fjalë të tjera, është ajo që quhet “korrupsion”. Për këtë arsye, i ftoj të gjithë të krishterët që ta vlerësojnë këtë angazhim si një akt të vërtetë kulti kushtuar Hyjit”.

“Urimi im nuk është thjesht një urim në kuptimin klasik të fjalës, por ai dëshiron të jetë edhe një nxitje e fortë drejtuar çdo personi vullnetmirë, me qëllim që Krishtlindja të sjellë ndryshime të vërteta dhe thelbësore: përndryshe, do të ishte një rast i humbur, një gënjim që i bëjmë vetes që, të verbuar prej dritave dhe ngjyrave të festës, nuk do të jemi të aftë të shohim praninë e Hyjit që na do, që do të mirën tonë dhe që na fton për ta bërë të mirën”, – tha Massafra.

“Ju uroj për shumë vjet Krishtlindjen 2019 dhe Gëzuar Vitin e Ri 2020 katolikëve, ortodoksëve, të krishterëve dhe njerëzve vullnetmirë”, tha Arqipeshkvi Massafra.

Ata

Aktualitet

Archives