“Shqipëria pa armë”, Tahiri: Komunitetet fetare, rol themelor në çarmatosjen e mendjes dhe shpirtit

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zhvilloi të hënën një takim me përfaqësues të komuniteteve fetare në Shkodër, në vijim të fushatës “Shqipëria pa armë”, duke kërkuar mbështetjen e tyre në këtë proces të rëndësishëm për sigurinë në vend.

Tahiri vlerësoi se “komunitetet fetare kanë një rol themelor në çarmatosjen e mendjes dhe shpirtit, dhe kjo është beteja më e madhe dhe më e vyer jo kundër hekurishteve, por kundër mentalitetit, jo kundër armëve si objekte, por kundër ndjesisë së dhunës, dhe kjo është ndër betejat që ne duhet të fitojmë”.

“Në vitin 1997, për rrethana të pakuptimta thuajse çdo familje në Shqipëri u armatos. Unë nuk besoj që ishte për shkak të traditës e historisë, por ndodhi për shkak të frikës dhe mungesës së shtetit, për shkak të pasigurisë por edhe tretjes së një sistemi vlerash shoqërore. Ajo plagë shënoi shumë fort historinë tonë. Kujtoj se në vitin 1997 kishte mijëra të vrarë në Shqipëri dhe sot ka mijëra familje që vazhdojnë e vuajnë atë që ndodhi”, tha Tahiri.

Armët, sipas Tahirit, janë një e keqe e madhe që kërcënon të sotmen por mbi të gjitha të ardhmen. Por sipas tij, “më shumë se sa një armë të varrosur diku në oborr apo të fshehur diku në shtëpi, ne duhet të fillojmë të çarmatosim mendjen dhe shpirtin nga dhuna, represioni dhe e keqja”.

“Shqipëria pa armë”, për ministrin Tahiri, “nuk mund të jetë vetëm përpjekje e qeverisë dhe nuk mund të funksionojë nëse do të jetë vetëm një përpjekje e zyrtarëve, por duhet të jetë një përpjekje e shoqërisë, për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë, për të bërë shtet më të fortë dhe për t’i dhënë më tepër siguri qytetarëve”.

“Shqipëria pa armë është një objektiv i yni madhor si qeveri, por duhet të jetë prioritet shpirtëror i secilit për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, një shtet dhe ekonomi më të fortë”, tha Tahiri

Aktualitet

Archives