ALSAR, fondacioni i të ardhmes shqiptare

Reportazh-intervistë me z. Mehdi GURRA, kryetari i fondacionit ALSAR, një person juridik në Shqipëri që gëzon të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë mirëbërëse shoqërore me karakter arsimor, kulturor dhe humanitar.

Që pas rënies së regjimit komunist, shoqëria shqiptare vazhdon të përjetojë një proces të gjatë tranzicioni drejt një sistemi të ri. Ky proces është shoqëruar me luhatje të forta të vazhdueshme që kanë rënduar mbi individin shqiptar të gjendur të papërgatitur dhe vetëm përballë një realiteti të ri.

Iniciativa për krijimin e Fondacionit “Alternativa e së Ardhmes” iu shtua strukturës ende të re të shoqërisë civile shqiptare, me vendim të Gjykatës Tiranë, më datë 21 shtator të vitit 2006, duke u njohur si person juridik që gëzon të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë mirëbërëse shoqërore me karakter arsimor, kulturor dhe humanitar.

Me misionin dhe vizionin e tij të qartë programor për të ngjallë në shoqëri shpresën, se askush nuk është vetëm, se është e drejta e tyre e lindur, të ndihmohen kur kanë nevojë.

-Për të folur rreth këtij institucioni me vlera të mëdha mjaft humanizmi, dhe jo vetëm “Zëri i Turqisë, TRT ka zhvilluar një reportazh-intervistë me kryetarin e ALSAR, z. Mehdi Gurra, cili solli në fillimnjë rezyme për fondacionin ALSAR, nga themelimi i saj, qëllimi i saj dhe si ka arritur të bëhet kaq i njohur si një nga institucionet me më emër në aspekt të arsimit, kulturës, humanizmit social jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej saj:

“…Krijimi i këtij organizmi qe një bashkim i domosdoshmërisë së kohës dhe i dëshirës së mirë së nismëtarëve të tij për të kontribuar me sa mundet në shoqëri.

Shqipëria pati lënë pas një regjim totalitar në nisje të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të shkuar. Asokohe ishte një kaos shumëdrejtimësh, me një zhvillim kaotik ekonomik, politik dhe shoqërorë, teksa njerëzit rendnin pas suksesit material në gjithfarë mënyrash. Liria fetare e rigjetur, objektet e kultit të rihapura apo të ndërtuara nga e para, sollën një gjallërim të jetës shpirtërore të njeriut. Një përparim sipërfaqësor i vendit do të ndalonte befas në vitin 1997, kur do të shkohej gjer në caqet e një lufte civile. Gjithçka do të riniste nga e para, nga zeroja.

Në përpjekjet e mundimshme për t’iu kthyer normalitetit, për t’u mëkëmbur, në një rrugë të gjatë përpara, ku mundësia për të kontribuar, për të bërë diçka të dobishme, ishte e pranishme kudo, “ALSAR” nisi hedhjen e hapave të parë, të ndrojtur, që ritmin do ta shtonin me kalimin e viteve.

Programi themelor i fondacionit “ALSAR” nënvizonte ndër objektivat e veta rritjen e frymës së kolektivitetit në shoqërinë shqiptare, mbështetjen e intelektualëve dhe të veprimtarëve të shoqërisë civile, ndihmesën për ngritjen e standardeve të edukimit dhe arsimimit, hartimin e zbatimin e projekteve humanitare për t’u ardhur në ndihmë, në aspektin moral e material, njerëzve në nevojë, si dhe dhënien e kontributit për përmirësimin e mjedisit në tre nivele, social, kulturor dhe natyror.

Me një jetëgjatësi të konsiderueshme në terrenin shqiptar, mund të thuhet me plot gojën, e modestisht, se fondacioni nuk ka lënë pas dore asnjë objektivave, duke i përmbushur një më një.

Një shifër domethënëse, që flet për punën e palodhur të fondacionit, është ajo e projekteve në tërësinë e tyre. Në gjithë këto vite, janë 700 projekte të realizuara me sukses…”.

-Në lidhje me aktivitetet si më të suksesshmet dhe që përqendrohet më shumë ALSAR në misionin e saj, z. Gurra u përgjigj:

“…Në aspektin humanitar:

Duke marrë parasysh se realiteti shqiptar prezanton një shoqëri ku problemet shoqërore janë të mprehta, ku mirëqenia dhe mjedisi ku jetojmë janë çështje të prekura përditë, por që gjithnjë nxjerrim nevojën e ndërhyrjes shumëpalëshe shtet-shoqëri, ku shtresa dhe kategori të ndryshme shoqërore të dobëta, kërkojnë më shumë barazi dhe integrim me pjesën tjetër të shoqërisë

Kemi realizuar projektet e dhurimit të ndihmave, përmes ndërhyrjeve të organizuara në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe institucionet e përkujdesjes sociale, nga të cilat kanë përfituar mbi 200.000 familje të kategorive të njerëzve në nevojë, mbi 2000 ton ndihma humanitare, në pako ushqimore, veshmbathje dhe batanije, në të gjitha njësitë administrative të vendit.

Projekte për përmirësimin e i infrastrukturës dhe shërbimeve:

Janë zhvilluar 20 projekte për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve, në institucionet e përkujdesjes sociale, si Qendra Kombëtare Pritëse e Azilkërkuesve, Tiranë; 4 qendra spitalore; 3 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, në Tiranë dhe Lezhë; ndërtimin dhe restaurimin e 5 objekteve të kultit.

Përkujdesja sociale ndaj fëmijëve jetimë, kontribut i çmuar për të ardhmen e shoqërisë: 

Në qendër të programit humanitar të fondacionit ALSAR qëndron edhe projekti Përkujdesja Sociale ndaj fëmijëve jetimë, kontribut i çmuar për të ardhmen e shoqërisë. Ky projekt shumëpërmasor, ka nisur në vitin 2008 dhe ka synuar të ofrojë mbështetje ndaj fëmijëve jetimë, pa asnjë dallim feje apo krahinë, me një përparësi të veçantë janë trajtuar edhe fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës,

Ofrimi i ndihmës konsiston si në drejtim të lehtësimit të vështirësive ekonomike familjare, ashtu dhe në atë edukimit dhe arsimit të tyre.

Rezultatet kanë ardhur gjithnjë në rritje: nga 35 fëmijë jetimë të mbështetur në vitin 2008, tashmë në vitin 2016, numri i tyre ka arritur në 3141 fëmijë jetimë, me një shtrirje gjeografike në të gjithë territorin e vendit.

Ne angazhohemi që ata të gëzojnë mundësi për zhvillimin fizik, psikologjik, shpirtëror, shoqëror, emocional dhe kulturor të tyre në një mjedis sa më të shëndetshëm dhe nxitës. Krahas ndihmës financiare vjetore (që varion nga 300-360 euro), fëmijëve jetimë iu dhurohen ndihma në pako ushqimore, veshmbathje, çanta shkollore dhe libra. Ata meritojnë t iu rikthejmë buzëqeshjen dhe t’ iu ngjallin shpresën për të ardhmen Treguesit e mëposhtëm janë një angazhim modest për angazhim modest për krijimin e premisave për përmirësimin e kushteve të jetesës së fëmijëve jetimë.

Program i shërbimeve të përkujdesjes sociale ndaj fëmijëve jetimë

Shërbimet arsimore-edukative:

1.a.) Kurset e gjuhëve të huaja edukimit etiko–moral.

Për përgatitjen morale dhe qytetare të fëmijëve jetimë, përmes metodave bashkëkohore dhe mësuesve të kualifikuar, fondacioni ALSAR organizon kurse të gjuhëve të huaja në turqisht dhe anglisht.

1.b.) Qendra verore për edukimin dhe argëtimin e fëmijëve jetimë.

Çdo vit në periudhën dy mujore korrik-gusht rreth 300 fëmijë jetimë janë pjesë e programit veror. Edukatorët kujdesen që gjatë programit t’i argëtojnë dhe socializojnë ata me njëri-tjetrin në veprimtari didaktike e sportive për të përmirësuar sjelljet e tyre shoqërore dhe konjitive.

1.c.) Ofrimi i mundësive për të ndjekur studimet.

Në 12 vite, fondacioni ALSAR iu ka ofruar këshillimin e nevojshëm dhe i’u ka akorduar bursa fëmijëve jetimë të interesuar për të ndjekur studimet brenda dhe jashtë vendit, si për nivelin parauniversitar, ashtu edhe për atë universitar, me synimin për t’iu mundësuar atyre arsimim të standardeve bashkëkohore ndërkombëtare.

1.d) Kursi i formimit profesional të rrobaqepësisë për nënat e fëmijëve jetimë.

Me synimin për t’i aftësuar dhe kualifikuar profesionalisht nënat e fëmijëve jetimë, fondacioni “ALSAR” vijon të organizojë prej 3 vitesh kursin e rrobaqepësisë nga i cili kanë përfituar 300 nëna të fëmijëve jetimë.

Shërbimet social-edukative 

2.a) Organizimi i veprimtarive social, edukative, argëtuese.

Gjatë veprimtarive kulturore, artistike, sportive, fëmijët argëtohen e ndajnë me njëri-tjetrin çaste gëzimi, duke lehtësuar përkohësisht dhimbjen e jetës në kushte të rënda e në mungesë të dashurisë prindërore.

2.b) Fëmijët jetimë në udhëtime turistike brenda dhe jashtë vendit.

Fëmijët jetimë u ofrohet një guidë e pasur kulturore, historike e turistike brenda dhe jashtë vendit si pjesë e një mozaiku të trashëgimisë kulturore botërore, ku alternohen natyrshëm vizitat turistike me takimet me drejtues të pushtetit vendor e qendror të vendeve që vizitojnë.

Shërbimet shëndetësore:

3.a) Përkujdesi shëndetësor ndaj fëmijëve jetimë.

Në disiplinat mjekësore, psikologjike e pedagogjike, fëmijëria konsiderohet si periudhë vendimtare për të ardhmen e zhvillimit të individit. Sa i përket përkujdesjes shëndetësore ndaj fëmijëve jetimë, fondacioni “ALSAR” ka ndërmarrë masat, mbështetur në rekomandimet e mjekëve për të ofruar mundësi optimale të ekzaminimit dhe diagnostifikimit të sëmundjeve. Përmes trajtimeve mjekësore të specializuara, gjatë këtyre viteve, është mundësuar rehabilitimi i plotë shëndetësor i 15 fëmijëve jetimë të sëmurë.

3.b) Projekti i këshillimit psikologjik.

Nga zbatimi i këtij projekti evidentojmë se janë mbajtur 500 seanca psikologjike për 500 fëmijët dhe familjarët e tyre. Në fund të çdo sesioni është realizuar një analizë e profilit psikologjik për çdo fëmijë dhe është hartuar një skedar psikologjik për secilin prej tyre. Janë identifikuar raste kur fëmijët vuajnë nga gjendje të rënda psikologjike dhe psikiatrike të tilla si depresioni, ankthi, çrregullime të zhvillimit, psikozat me synimin për t’i ofruar ndihmë dhe udhëzime psikologjike.

Shërbime për përmirësimin e kushteve të jetesës:

4.a) Përmirësimi i kushteve të banimit dhe cilësisë së jetesës së fëmijëve jetimë. Restaurimi I shtëpive të fëmijëve jetim.

Referuar gjendjes së rëndë ekonomike dhe kushteve të papërshtatshme të banimit të disa familjeve të fëmijëve jetimë, fondacioni ALSAR, në kuadër të projektit “Ndihmë për fëmijët jetimë” ka realizuar restaurimin e plotë si dhe mobilimin e 10 shtëpive, duke mundësuar në këtë mënyrë edhe normalizimin e kushteve të banimit.

4.b) Zhvillimi i mikroprojekteve të biznesit social në ndihmë të familjeve të fëmijëve jetimë.

Fondacioni “ALSAR” për t’iu ardhur në ndihmë ekonomikisht familjeve të fëmijëve jetimë që zotërojnë një sipërfaqe toke bujqësore, përmes projektit të mbarështimit të lopëve, dhurimi të fidanëve të pemëve frutore dhe dhurimi të farërave bujqësore.

Sa i përketveprimtarisë arsimore, ajo përfshinë dhurimin e çantave shkollore, pajisjeve didaktike për 25000 nxënës të shkollave publike, në 12 qytete të ndryshme të vendit, restaurimin e mjediseve të 10 shkollave, pajisja e tyre materiale didaktike si dhe ofrimin e bursave të studimit për nxënësit e ekselencës nga i cili kanë përfituar 650 studentë. Krahas tyre ofrohet edhe mundësia e akomodimit falas në konvikt, studentëve të Universitetit të Tiranës. 

Si kontribut kulturor i Fondacionit “ALSAR”, përmendet organizimi i veprimtarive promovuese të vlerave kulturore shqiptare dhe trashëgimisë sonë kombëtare, dhe për të mundësuar dhe realizuar këtë mision ai ka organizuar,

61 simpoziume

5 konferenca shkencore ndërkombëtare,

5 seminare kualifikimi,

3 panaire kulturore dhe fushata sensibilizuese mbështetëse gjatë këtyre 12 viteve.

Gjatë këtyre 12 vjetëve, një aspekt të rëndësishëm të veprimtarisë së tij, fondacioni ka patur edhe botimin dhe promovimin e veprave dhe punimeve të karakterit enciklopedik, shkencor, historik e kulturor…

-Ndërsa, në lidhje me botimet e vyera të fondacionit “ALSAR”, që më plot gojën mund të thuhet se ka arritur në një stad të lartë në të gjitha aspektet, i nderuari Gurra tha:  

“…Që nga dita e krijimit të tij ai ka botuar 130 tituj nga studiuesit më në zë të institucioneve shkencore, libra informative, botime nga historia dhe traditat kombëtare, letërsi artistike nga autorë shqiptar dhe të huaj, si dhe albume të ndryshme.

Lista e autorëve që kanë botuar në fondacionin “ALSAR” një apo disa libra ka kaluar numrin 70, ndërkohë që kanë punuar e punojnë mbi 10 përkthyes nga gjuhë të ndryshme të huaja, etj. Ndër treguesit e veçantë të botimeve mund të përmendim:

Janë përkthyer nga gjuhë të huaja dhe botuar në shqip:

16 vepra nga gjuha angleze.

25 vepra nga gjuha turke.

17 vepra nga gjuha boshnjake.

4 vepra nga gjuha arabe.

Janë botuar në gjuhën shqipe 27 vepra.

Është botuar në frëngjisht 1 vepër.

Është botuar në italisht 1 vepër.

Aktualisht, fondacioni “ALSAR”, boton mbi 25 botime të reja në vit, d.m.th. në çdo 15 ditë një libër i ri.

Një vëmendje të posaçme fondacioni “ALSAR” si botues i ka kushtuar edhe botimit të librit shkencor shqip, veçanërisht për veprat sintezë për personalitete, ngjarje dhe probleme të historisë, të letërsisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.

Duke sjellë tashmë një kulturë në përgatitjen e librit, sepse deri në fillimin e mijëvjeçarit të ri përpara 15 vitesh sidomos në Shqipëri, por edhe në Kosovë, apo në të gjithë hapësirën shqiptare, libri ishte një produkt, të cilit nuk i kushtohej shumë kujdes përgatitjes dhe cilësisë së botimit të tij.

Në këtë drejtim, jemi përpjekur të japim shembullin e kontributin tonë, për një përgatitje shumë cilësore të librit, fondacioni “ALSAR” ka kontribuar në ndërrimin e konceptit për shtëpitë botuese, ka sjellë filozofi të re në prodhimin e një produkti që është jo si gjithë të tjerat, për një shpërndarje shumë të mirë, duke marrë përsipër gjithashtu edhe procesin e dhurimit dhe shpërndarjes së librave që ai boton, me synimin për të pasuruar bibliotekat e institucioneve arsimore jo vetëm në hapësirat shqiptare por edhe më gjerë të saj edhe në qendrat studimore e akademike në Europë e ShBA.

Në katalogun e botimeve të Fondacionin “ALSAR” gjatë këtyre 12-vjetëve kanë hyrë emrat më të njohur të studiuesve bashkëkohorë të huaj e vendas, nga fusha e historisë, sociologjisë, diplomacisë si: Prof. Dr. Kemal Karpat, akademik i mirënjohur amerikan, Justin Mccarthy, Prof. Dr. Mehmet MaksudogluMehmet Akif Ersoj, sociologu Prof. Gezim Tushi, shkrimtari Mehmet Elezi, diplomati e Mjeshtri i Madh, Shaban Murati, etj. Duke u përpjekur në këtë mënyrë të fitojë cilësinë e një institucioni të besueshëm për lexuesin shqiptar dhe që konkurron në tregun e librit…”.

-Fondacioni ALSAR i kushton një rëndësi të veçantë zhvillimit të kurseve të gjuhës turke, por edhe të gjuhëve të tjera të huaja, pikërisht në lidhje me këtë aktivitet kulturor kryetari i këtij fondacioni u shpreh: 

“…Program i mësimdhënies së gjuhës turke, për nxënësit e zonës së Tiranës, Kukës dhe Konispol, kanë vijuar rregullisht gjatë 3 viteve të fundit, mbështetur në marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit të Turqisë, si dhe duke i’u përgjigjur interesimit të tyre për të zgjeruar horizontin e kulturës e të njohurive të tyre në gjuhët huaja, që përmes këtij projekti të përfitojnë mundësi e alternative optimale arsimi të standardeve bashkëkohore ndërkombëtare, për të ndjekur studimet në Turqi, si në ciklin e mesëm shkollor ashtu edhe në atë universitar.

Realizimi i këtij projekti është një tjetër kurorëzim i suksesshëm i zhvillimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet fondacionit “ALSAR” dhe bashkive Kukës dhe Konispol. Numri i frekuentuesve në këto kurse arrin në 350 kursante të nivelit parauniversitar dhe universitar. Ata mësojnë me metoda bashkëkohore të ndërthurura me programe audivizuale, për ta bërë atë sa më tërheqës dhe të plotësuar me elemente që përvetësojnë përvetësimin e dijes në mënyrë sa më të vlefshme.

Në përmbyllje të programit të këtyre kurseve, janë zhvilluar edhe provime përfundimtare për vlerësimin e njohurive të nxënësve të të 2 grupeve, të cilëve u janë dhënë edhe certifikatat përkatëse me rastin e përfundimit të nivelit të parë të këtij programi…”.

-Fondacioni ALSAR bashkëpunon shumë me institucione shqiptare, sidomos me ato turke në lëmitë e arsimit, kulturës dhe humanizmit, atëherë cili është komenti i juaj, z. Gurra, për këto bashkëpunime dhe si keni arritur ti realizoni këto kurorëzime të suksesshme të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet fondacionit ALSAR dhe institucioneve të tjera? 

“…Fondacioni “ALSAR” është një fondacion që partner kryesorsiç thashë pak më përpara ka organizatat shtetërore, ka institucionet shtetërore të Shqipërisë. Sigurisht për donatorë apo çështja e miratimit apo e zbatimit të projekteve në aspektin ekonomik, fondacioni “ALSAR” ka një mbështetje shumë të mirë qoftë me institucionet turke qoftë edhe me institucionet si motra, por jo vetëm kaq, ne si fondacion kemi bashkëpunim shumë të mirë me organizata joqeveritare në Holandë, në Belgjikë, në Francë, në Londër, në Amerikë, në Austri, fondacione të cilat kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin projektet e fondacionit “ALSAR”.

Lidhur me mbështetjen e projekteve të fondacionit “ALSAR”, nga qeveria turke apo institucionet turkeështë me të vërtetë i konsiderueshëm. Nuk është prioritet që fondacioni “ALSAR” të bashkëpunojë vetëm me Turqinë. Ajo që ne synojmë është që ne ofrojmë forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve strategjike Shqipëri-Turqi, si dy vende që me të vërtetë kanë një harmoni dhe marrëdhënie të mira, kanë një bashkëpunim shumë të mirë, madje edhe gjatë kohës së komunizmit Shqipëria ka  patur një marrëdhënie shumë të mirë me Turqinë. Në këtë kontekst ajo çka bëjmë ne është thjesht një forcim ndërmjet urave lidhëse që janë midis dy vendeve tona dhe kjo është dhe duhet të mbetet një detyrë e shoqërisë civile në përgjithësi…

-Një nga pjesët e emërtimit të fondacionit ALSAR është edhe fraza: “Alternativa e të Ardhmes”, cila do jetë e ardhmja e institucionit tuaj që ju drejtoni për sa i përket risive të pritshme të aktiviteteve?

“…Ne si fondacion, jemi fondacion që prej vitesh po bëjmë një punë serioze në aspektin e botimeve. Deri tani, kemi botuar 137 vepra në gjuhën shqipe, vepra  të cilat një pjesë janë përkthyer nga anglishtja, një pjesë tjetër nga gjuha boshnjake, një pjesë tjetër nga turqishtja dhe ajo çka ne kemi synuar me këto botime është me të vërtetë që lexuesve shqiptarë, historianëve dhe atyre që e duan librin t’i sjellim informacione sa më të sakta nga kolosë ndërkombëtarë për të patur mundësinë që në të gjitha hulumtimet e tyre shkencore, në të gjithë veprat e tyre që do të  shkruajnë të kenë mundësinë e disa burimeve të reja shkencore. E parë nga ky këndvështrim, njëkohësisht fondacioni ynë ka arritur të realizojë deri tani 78 simpoziume ndërkombëtare për një periudhë 12 vjeçare.

Mendoj se e ardhmja e fondacionit apo çështja e emërtimit fondacionin “Alternativa e së Ardhmes”, do të thotë të bëjmë punë të dobishme për kombin shqiptar, për të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare dhe veçanërisht për ato të cilët merren me penën e Shqipërisë, për ato të cilët merren me studime në fusha të ndryshme të ofrojë një lloj literature, e cila i ka munguar bibliotekave tona, i ka munguar studiuesve tanë për arsye të ndryshme edhe për arsyen më të thjeshtë për arsyen ekonomike apo për arsyen e mospasjes së informacionit për botimet që janë bërë gjatë periudhës së komunizmit që ka qenë një periudhë e izoluar, siç e dini! Në këtë aspekt mendoj se institucioni “ALSAR” do të jetë një institucion kërkimor për të gjetur vepra sa më të mira të shkruara nga njerëz të dijes, nga historianë sa më të mirë botërorë si dhe për t’i ardhur në ndihmë studiuesve shqiptarë. 

E ardhmja i përket njerëzve të dijes, e ardhmja i përket atyre që merren me penën, nuk i përket atij të cilit ka alergji prej librit apo prej shkollës, dhe si rrjedhoje ne si fondacion “Alternativa e së Ardhmes” do të mundohemi që të ardhmen e Shqipërisë ta servirim me mundësinë sa më të mirë të mundshme, përmes botimeve tona, me punët tona humanitare, me organizimin e seminarëve dhe simpoziumeve të ndryshme, pa lënë mënjanë edhe punët edukative dhe arsimore që kemi bërë deri tani, sikurse nuk lëmë mënjanë edhe shtresat në nevojë, ku dikur në Shqipëri kemi thënë se: “Ushtarët dhe studentët duhen ndihmuar…”.

-Në fund, Mehdi Gurra, kryetar i ALSAR dha këtë mesazh për dëgjuesit, audiencën e gjerë të Radios “Zëri i Turqisë”, TRT:

“…Së pari dua t’ju falënderoj juve për këtë intervistë që po realizojmë së bashku dhe të gjithë dëgjuesit e radios turke, TRT. Unë si një ish-student i Turqisë, si një nga studentët e parë të Turqisë mendoj se arrita të arsimohem, të marrë ato njohuritë e duhura, ato modelet më të mira turke me qëllim për t’i ardhur në shërbim shoqërisë shqiptare. Të gjitha modelet e punës që ofrojmë, janë modele të punës që kemi parë dhe jemi konsultuar andej dhe këto pikërisht po i bëjmë në vendin tonë. Ajo çka do i kisha thënë dëgjuesve të TRT-së është që të vazhdojnë të ndjekin aktivitetet dhe botimet tona. Nëse realisht janë të interesuar për botimet tona jemi të hapur t’ia dhurojmë.

I drejtohem veçanërisht atyre dëgjuesve në Turqi, shqiptarëve në Turqiqë na dëgjojnë do i kisha thënë se ky fondacion është një fondacion që mbahet si gjithë fondacionet e tjera me donatorët kryesisht nga fondacionet si motra në Turqi apo edhe donacione që jep shteti turk dhe institucionet e tjera shtetërore turke apo edhe ato që ceka pak më parë në Evropë apo në vendet e tjera. Do ishte shumë e mirë që shqiptarët që na ndjekin: për projekte të ndryshme dhe për ndihma të ndryshme të kontaktonin dhe të bashkëbisedonim në mënyrë për të na ofruar mundësi të reja për të realizuar sa më shumë projekte të dobishme. Ju faleminderit!”.

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Aktualitet

Archives