Akademia e Shkencave zgjedh Sekretar Shkencor Shaban Sinani

Akademiku Shaban Sinani zgjidhet Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave.

Në përfundim të votimit të fshehtë të anëtarëve të Asamblesë së Akademisë së Shkencave, mbajtur gjatë mbledhjes së datës 27 dhjetor 2019, komisioni i votimit, i përbërë nga akademikët Florian Vila, Aurela Anastasi dhe akademiku i asociuar Ilirjan Malollari, konfirmoi zgjedhjen e Sekretarit Shkencor akademikun Shaban Sinani me 28 vota pro, 3 vota kundër dhe dy vota të pavlefshme.

Akademiku Shaban Sinani kreu studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1982). Filloi punën si gazetar i “Zërit të popullit”. Ndihmës i Kryetarit të Shtetit për çështjet kulturore (1985–1992); punonjës shkencor në Institutin e Kulturës Popullore dhe përgjegjës departamenti (1992–1999), drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (1999–2005); punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë
(2005-2016); prej vitit 2016 e në vazhdim Sekretar shkencor në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave.

Ka botuar libra me studime letrare, vështrime politike, studime folklorike e etnologjike etj., si dhe bashkautor në disa botime. Përkujdesës i një numri botimesh folklorike e historike-dokumentare e letrare; anëtar i redaksisë ndërkombëtare të ribotimit anastatik të
“Illyricum Sacrum” I–IX (Zagreb – Prishtinë, 2005); drejtues i projektit ndërkombëtar “Fermanët: të shkruash historinë me tolerancë” (konferencë dhe vepër shkencore e ilustruar, në tri gjuhë, 2005).

Përgatiti dhe realizoi regjistrimin e dy kodikëve më të vjetër të Shqipërisë: “Beratinus-1” dhe “Beratinus2” në programin e UNESCO-s “Memoire du Monde” (2005), si dhe programin ndërqeveritar “Modernizimi i arkivave kombëtare” (2000–2005); anëtar i komisionit kombëtar të UNESCO-s (2000), anëtar i komitetit kombëtar të AIESSEE-së (1999–2005), themelues i komitetit kombëtar të programit “Memoire du Monde” (2004).

Ai është nderuar me Urdhrin Naim Frashëri, klasi II (1986); Çmimin e dytë kombëtar vjetor të revistës Hosteni për novelë (1991); Qytetar Nderi i Beratit (2008); Çmimin dhe kupën
Madonna e Argjentë për film dokumentar-shkencor në Festivalin V Ndërkombëtar të Filmit në Bjelorusi (skenarist, 2010); Çmimin kombëtar Faik Konica për studim monografik (2012) etj.

Aktualitet

Archives