“Aeroporti i Stambollit”, emri i aeroportit më të madh në botë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të hënën se emri i aeroportit të ri të Stambollit, më i madhi në botë, është “Istanbul”…

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të hënën se emri i aeroportit të ri të Stambollit, më i madhi në botë, është “Istanbul”.

Kreu i shtetit turk bëri inaugurimin e aeroportit të ri të Stambollit me një ceremoni madhështore.

Në fjalën e rastit, Erdogani uroi që Aeroporti i Stambollit të jetë i dobishëm për Turqinë dhe të gjithë botën dhe falënderoi të ftuarit nga rreth 50 vende të ndryshme për praninë e tyre në këtë ditë entuziaste të Turqisë.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Emiri i Katarit Sheik Tamim Bin Hamad Al-Thani, Presidenti i Kirgizisë Sooronbay Jeenbekov, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut Mustafa Akinci, Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, Presidenti i Moldavisë Igor Dodon, Presidenti i Pakistanit Arif Alvi, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, Presidenti i Sudanit Mareshali Omar Hassan Ahmad Al-Bashir, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës Denis Zvizdiç, Kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov, zëvendëskryeministri i Republikës Demokratike të Kongos, zëvendëskryeministrja e Sllovenisë dhe ministrja e infrastrukturës Alenka Bratusek, ministri i Jashtëm i Gjeorgjisë David Zalkaliani, ministri i Jashtëm i Iranit Mohammad Javad Zarif dhe Kryetarja e Rajonit Autonom të Republikës së Gagauzisë, Irina Vlah.

Erdogani dhe liderët mysafirë pozuan para kamerave.

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Binali Yildirim, i cili foli përpara Erdoganit në ceremoninë e përurimit, tha: “Uroj që kjo vepër, e cila i ka hije lavdisë së Republikës në 95-vjetorin e themelimit të saj, t’i sjellë dobi vendit, popullit dhe rajonit tonë.”

Ceremonia e inaugurimit u ndoq me interes të lartë nga mediat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Veçanërisht gazetarët e huaj realizuan edhe reportazhe të shumta në lidhje me arkitekturën e Aeroportit të Stambollit, e cila ngjalli admirim të jashtëzakonshëm.

Në ceremoni ishin të pranishëm gjithashtu shumë të ftuar nga bota e politikës, artit, sportit, biznesit dhe fesë, ku spikatën Patriku i Fanarit Bartholomeos, Kryerabini i Hebrenjve të Turqisë Isak Haleva dhe Mitropoliti i Kishës Ortodokse Asiriane Yusuf Çetin.

Për inaugurimin e etapës së parë të Aeroportit të Stambollit, ndërtuar mbi një sipërfaqe prej 76,5 milionë m2, janë investuar 6 miliardë euro. Ndërsa etapat e tjera të aeroportit të ri do të përfundohen deri në vitin 2023, në varësi të rritjes së numri të pasagjerëve.

Kur të jetë përfunduar plotësisht, ky aeroport do të jetë më i madhi në botë me 6 pista të pavarura, me një kapacitet prej 500 avionësh, me parkingje të hapura dhe të mbyllura për 70 mijë makina dhe me një kapacitet vjetor prej 200 milionë pasagjerësh.

Fluturimet e para në linjat kombëtare do të realizohen nga Linjat Ajrore Turke (THY) më 31 tetor drejt Ankarasë, më 1 nëntor drejt Antalias dhe më 2 nëntor drejt Izmirit.

Kurse fluturimet e para në linjat ndërkombëtare do të jenë më 1 nëntor drejt Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV) dhe më 8 nëntor drejt Azerbajxhanit.

Deri në fund të vitit, në Aeroportin e Stambollit do të mund të ulen dhe ngrihen 2 mijë avionë në ditë.

Nga ky aeroport do të realizohen fluturime drejt më shumë se 350 destinacioneve.

Aty do t’u shërbehet 250 kompanive ajrore.

Në aeroportin e ri të Stambollit, ku siguria do të garantohet në nivelin maksimal me teknologjitë më të fundit, do të përdoren për herë të parë edhe radarët tokësorë.

Aktualitet

Archives