Shqipëri, konferencë për programin e “qeverisjes së mirë”

Konferenca prezantuese e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Romacted: Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimit rom në nivel vendor”, ka mbledhur në Tiranë zyrtarë të ministrive të ndryshme, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e komunitet rom në Shqipëri, raporton AnadoluAgency (AA).

Drejtoresha e politikave në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Merita Xhafaj, theksoi gjatë fjalës së saj në konferencë se projekti në fjalë krijon mundësinë që politikat e institucioneve qendrore të gjejnë një zbatim edhe në nivel lokal.

“Është një vlerësim, por në të njëjtën kohë kjo i takon bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe dialogut publik që kemi zhvilluar në drejtim të integrimit të pakicave rome dhe egjiptiane. Ky projekt është shumë i rëndësishëm, sepse vendos një urë komunikimi dhe një mundësi që politikat që zhvillohen në nivel qendror të gjejnë një zbatim edhe në nivel lokal. Bashkëpunimi do doja të ishte edhe në fusha të tjera me njësitë e qeverisjes vendore, për kategori të tjera që kanë nevojë të integrohen”, theksoi Xhafaj.

Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Claus Neukirch, u shpreh se Këshilli i Evropës ka mbështetur ngritjen e zyrave në disa qytete të Shqipërisë të komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi. “Në kuadër të një programi tjetër të mbështetur nga BE ne kemi dhënë asistencë për minoritetet dhe kemi dhënë mbështetje për miratimin e akteve nënligjore si dhe ekspertizë edhe për hartimin e ligjeve për banesat sociale. Hartimi i planeve në nivel lokal për integrimin e romëve dhe egjiptianëve është një ndihmë e madhe që na jepet ne”, theksoi Neukirch.

Sipas tij duhet të zgjerohet pjesëmarrja e qytetarëve që janë pjesë e komunitetit rom në hartimin dhe zbatimin e politikave vendore.

“Ne do të punojmë me 7 bashki për të integruar masa specifike për romët në politikat lokale dhe në ofrimin e shërbimeve publike. Duhet të zgjerohet pjesëmarrja e qytetarëve rom në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e këtyre politikave. Projekti është përqafuar në nivel lokal nga komunitetet rome dhe egjiptiane si dhe nga autoritetet vendore”, tha Neukirch.

Bashkitë e Elbasanit, Pogradecit, Korçës, Fierit, Roskovecit, Vlorës dhe Përmetit do të jenë njësitë e para vendore ku pas prezantimit do të zbatohet programi në fjalë.

Sipas zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, programi Romacted synon të ndërtojë vullnet politik dhe angazhim të qëndrueshëm në nivel politikash të autoriteteve vendore, për të përmirësuar qeverisjen vendore si dhe fuqizimin e komuniteteve rome. Programi do të mbulojë 50 bashki në 7 vende të Ballkanit Perëndimor dhe Turqi.

Aktualitet

Archives