Përjashtimi i Berishës, grupi i PD vendos bojkot

Edhe pse u duk më i afërt se kurrë një takim mes kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës, gjithçka ndryshoi brenda pak orësh, kur shumica vendosi të përjashtojë Sali Berishën për dhjetë ditë nga Kuvendi. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se mazhoranca nuk përballon debat, nuk ka argumenta, kapet në flagrancë nga faktet e dëshmitë që provojnë krimin dhe korrupsionin e tyre dhe, sic tha ai i ka mbetur të tregojnë vetëm kartonat në Byro.
Nga njëra anë nderohet vulgu i vulgut, Sadri Abazi që i thotë kundërshtarit të pres veshin, nga ana tjetër dënohet denoncuesi i të keqes, i aferave tronditëse, Sali Berisha”.
Pas këtij qëndrimi, Basha la të kuptohet se janë të pakta shanjset që ai të të shkojë në një tryezë që sipas tij i është mbyllur dera.
“Kjo është manovër e Edi Ramës dhe Ilir Metës për t’i mbyllur derën opozitës. Për t’i mbyllur derën në Parlament, në tryezat ku ajo duhet të jetë e pranishme.
Për t’i mbyllur derën në reformën e drejtësisë, në reformën zgjedhore.
Por gabim i bëjnë llogaritë. Opozita, Partia Demokratike nuk mbetet jashtë. Ajo është çdo ditë me shqiptarët dhe në krah të tyre, se bash aty është Parlamenti i vërtetë, aty nisin dhe merren vendimet e mëdha.
Duke lënë opozitën dhe demokratët jashtë një salle, jashtë një tryeze, Edi Rama dhe Ilir Meta vetëm sa thellojnë izolimin dhe pershpejtojne renien e tyre te pashmangshme”.
Basha tha se Parlamenti i opozitës janë qytetarët dhe këtë e konfirmoi edhe grupi parlamentar demokrat të shtunën paradite nën drejtimin e Edi Palokës.
I pyetur nëse ka mbetur ende ndonjë shans për një takim të Bashës me Ramën, Paloka referoi gazetarët tek deklarata që kryetari demokrat kishte publikuar.
Të premten kryeministri Rama ftoi Bashën për takim për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Basha u tregua i gatshëm për takim pas të martës, sapo të kthehej nga aktivitetet politike jashtë vendit.

Aktualitet

Archives