Gjykata e Prishtinës dënon 4 deputetët e Vetëvendosjes

Deputeti, e ish-kryetari i VV, Albin Kurti u dënua me kusht nëse për dy vite nuk do të kryejë vepra të tjera penale. Po ashtu me kusht u dënuan edhe 3 deputetët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiun, Faton Topallin dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Mbi Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Faton Topallin dhe Donika Kadaj-Bujupin rëndonte padia e përdorimit të mjeteve të rrezikshme dhe pengimit të kryerjes së detyrës zyrtare me veprimin e bërë gjatë seancës ku diskutohej ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Mbrëmjen e një dite më parë, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Albulena Haxhiu bëri të ditur se ata nuk do të jenë në sallë kur të shpallet vendimi që ajo e cilësoi “politik”.

Sipas Haxhiut, asnjë prej pretendimeve që i ka ngritur prokurori, nuk janë të mbështetura me prova e fakte dhe shtoi se gazi lotsjellës nuk është armë.

Në këndvështrimin e saj, ai ishte ishte mjeti i vetëm e i domosdoshëm për ta shpëtuar Kosovën nga ai që e quan “copëtim” dhe “bosnjëzim”. Përdorimi i gazit ishte pjesë e kundërshtimit të opozitës ndaj marrëveshjeve të arritura me Serbinë dhe me Malin e Zi.

Aktualitet

Archives