“Tirana 2017”: Hapet edicioni i 20-të i Panairit të Librit

Me anë të një ceremonie të zhvilluar në Tiranë  është hapur edicioni i 20-të i Panairit të Librit “Tirana 2017”, ku shtëpitë botuese për disa ditë me radhë do të prezantojnë për publikun botimet e tyre,

 

Në këtë panair që organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë, do të marrë pjesë dhe instituti turk “Yunus Emre” në Tiranë, ku do të prezantohen botimet e institutit, si dhe materiale promovuese për Turqinë.

 

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, deklaroi se e rëndësishme tashmë është mësimi i të rinjve me librin për tu siguruar atyre një të ardhme më të mirë.

Në emër të Shoqatës së Botuesve të Librit Shqiptar kërkoi lehtësira fiskale për botimet dhe krijimtarinë, ndërsa një premtim për zgjidhjen e kërkesave të tyre erdhi nga ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro.

 

“…Qëllimi ynë kryesor, objektivi ynë i përhershëm është lexuesi. Të bëjmë gjithçka për leximin, bëjmë gjithçka për të shtuar rradhët e lexuesve të rinj. Jemi një vend i vogël. Jo i pasur, jo me shumë mundësi, prandaj duhet të punojmë të gjithë me synimin që të rinjtë të mësojnë dhe të lexojnë sa më shumë. Kemi një TVSH 20% në blerje, pra në shtypshkrim, i pangjarë në asnjë vend europian. Kërkojmë të ulet tatimi mbi të ardhurat për veprimtarinë krijuese nga 15% në 5%….”

“…Këtu unë jam me ju edhe në betejën po të doni financiare për të ulur.. Edhe unë nuk jam dakord me 15% mbi krijimtarinë…”

 

Nga ana tjetër, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Kumbaro, gjatë ceremonisë së hapjes së panairit tha se politikat e shtetit për librin duhet të jenë të drejtuara tek lexuesi.

Sot hapet një aktivitet, që nuk duhet të jetë aktivitet fjalimesh, por leximesh. Duhet të lëmë lexuesit, autorët, përkthyesit, pastaj botuesit dhe institucionet në shërbim të tyre për një gjë që më duket shumë e rëndësishme në komunikim përmes leximit. Pa lexues nuk ka as botues, as autorë, as përkthyes, vdes edhe libri vetë. Duhet një punë shumë e madhe bindëse dhe edukative me lexuesin më shumë sesa në burimin vetëm të botimit që është më shumë pjesë e profesionalizmit”, u shpreh Kumbaro.

Në këtë panair marrin pjesë edhe shtëpitë botuese nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj.

Panairi i Librit është në një ngjarje e rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2016-nëntor 2017.
Ky panair bashkon të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në Shqipëri.

Panairi i 20-të i Librit ‘Tirana 2017-të’ nisi më 15 nëntor në Pallatin e Kongreseve dhe zgjat deri më 19 nëntor.

Aktualitet

Archives