Ambasadorët apel për mos bojkotim të parlamentit

Përfaqësuesit e Këshillit të Evropës dhe të OSBE-ODIHR kanë kërkuar fillimin e reformës zgjedhore në Shqipëri. Në një konferencë të posaçme kreu i misionit të ODIHR, Peter Tejlerapeloi për ndryshimin e sjelljes politike për të arritur sukses me reformat. Kritika ai ka hedhur dhe për bojkotin e Kuvendit.

Ambasadori i OSBE dhe kreu i KQZ thanë se duhet vullnet dhe reformë e plotë zgjedhore, ndërsa për demokratët, ndëshkimi i këtij krimi zgjedhor kërkon më shumë se kaq.

Reforma zgjedhore ende nuk ka nisur, e ndërkohë nga gjithë diskutimet paraprake pikëpyetja kryesore që zë vend është se cili do të jetë kodi që do t’i mbyllë derën shit-blerjes së votës. Ky është edhe rekomandimi kryesor ndër disa që OSBE-ODIHR ka dhënë për Shqipërinë pas 25 qershorit, deklaroi Peter Tejler:

 “…Nuk duhet të humbas fokusi për rekomandimet. E keni detyrim për ti ndjekur ato. Ndërkohë vihet re një mungese besimi te sistemi, jo vetëm nga votuesit, por edhe nga partitë. Duhet të them diçka, dhe mund të jem kritike në këtë pikë, por nuk jam i sigurt se bojkoti i parlamentit është zgjidhja e problemeve. Nëse dëshironi që të keni sukses jo vetëm në reforma, por edhe në integrimin e BEduhet të ndryshoni sjelljen politike…”

Ndërsa, Ambasadori i OSBE/ ODIHR, Bernd Borchard nënvizoi se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse ndërsa shtoi se krimi zgjedhor duhet të përbëjë vepër penale.

“…Duhet të përgëzoj krijimin e komisionit për reformën zgjedhore dhe mezi presim që ai të filloj nga puna. Kjo reformë duhet të jetë e plotë, ndërsa komisioni duhet të trajtojë edhe çështjen e blerjes së votës. Në këtë drejtin ndërhyrja duhet të jetë serioze. Ndërsa krimet zgjedhore duhet konsiderohen vepra penale. Autoritetet duhet të mendojnë seriozisht edhe për votimin dhe numërimin elektronik dhe për këtë të adaptojnë praktikat ndërkombëtare dhe të bëhet pilotimi në zgjedhjet e ardhshme për bashkitë…”

20 vjet në KQZ, Klement Zguri, sot kryetar i tij, ka parë shumë nga proceset zgjedhore. Si organizator i kësaj konference, bëri thirrje për atë që e cilësoi si “nëna” e reformave.

“…Kjo reformë duhet të bëhet nëna e të gjithë reformave, duhet të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse. Duhet të jetë transparente, e sigurt, altruiste. Sot është koha që lidershipi politik të tregojë vullnet….”

Para ambasadorëve opozita tha se e ka si prioritet tjetër përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje.
Ambasadori i OSBE-së paralajmëroi se në dhjetor do të ketë një tryezë pune pikërisht për këtë çështje. E ndërkohë, siç theksohet dhe nga përfaqësues të Komisionit të Venecias, të gatshëm për ndihmuar me praktikën e tyre të mirë, ligji është dytësor në këtë përpjekje, pasi së pari u takon palëve që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe t’u japin fund praktikave të paligjshme. Venecia është për stabilitet të kodit zgjedhor dhe të sistemit po ashtu.

Aktualitet