Bushati: Vitin tjetër, Shqipëria do të marrë përgjigje për hapjen e negociatave me BE

Komisioni i Integrimit është mbledhur ditën e sotme, për të diskutuar çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.

I pranishëm në mbledhje ishte në një seancë dëgjimore, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili tha se vitin tjetër Shqipëria do të marrë përgjigje për hapjen e negociatave me BE.

“Frika në media e disa forcave politike për shkrirjen e Ministrisë së Integrimit është e kotë. 2018 do të jetë një vit përcaktues. Për herë të parë BE nuk pati konkluzione për procesin e zgjerimit. Është realiste që vitin tjetër Shqipëria të marrë përgjigje për çeljen e negociatave. 2019 do jetë viti i zgjedhjes së institucioneve evropiane”, tha Bushati

Ndërkohë, deputeti i PD, Genc Pollo, ka pyetur ministrin se pse nuk u hapën negociatat para zgjedhjeve të 25 qershorit, siç tha kryeministri Rama.
“Pse nuk u arrit çelja e negociatave siç tha Rama përpara zgjedhjeve? Pati tre kritere shtesë për integrimin. Lufta kundër korrupsionit, krimi i organizuar dhe droga. Çfarë iu bën optimist që do çelen negociatat në mes të vitit të ardhshëm?”, deklaroi Pollo.

Në kundërpërgjigje, ministri ka thënë se nuk ka asnjë kusht shtesë për integrimin dhe se nuk duhet helmuar publiku me komente të tilla.

“Nuk ka asnjë kusht shtesë për integrimin. Ata nuk janë kushërinjtë tanë. Nuk na mbajnë me hatër. Të mos e helmojmë publikun me të tilla komente. Në 2016 erdhi bota mbarë për t’iu bindur të votonit Reformën në Drejtësi. Ju thoni ka tre kushte shtese, unë them që s’ka asnjë kusht shtesë”, shtoi Bushati.

Bushati ndër të tjera ka folur edhe në lidhje me kërkesën e kosovarëve për shtetësinë shqiptare në mënyrë për të përfituar nga liberalizmi i vizave. Bushati tha se nuk i takon atij të komentojë Kryeministrin Thaçi duke shtuar se për këtë ka folur Presidenti Meta.

“Presidenti i Kosovës përfaqëson një shtet sovran. Nuk është etike të komentoj unë. Ka folur Presidenti Meta për këtë çështje. Zgjidhja më e mirë për të adresuar bllokimin e lëvizjes për shtetasit shqiptarë të Kosovës është liberalizimi i vizave.”, ka thënë ministri Bushati

Aktualitet