Maqedoni, Zaev fiton zgjedhjet lokale

Partia e kryeministrit Zoran Zaev, LSDM, e konsideron veten fituesen e zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

Socialdemokratët udhëheqin në disa qytete, përfshirë Manastirin, si dhe në një sërë komunash të Shkupit, ndërsa fitoren e kanë shpallur edhe në komunën e Haraçinës, të banuar tërësisht nga shqiptarë.

Optimiste shprehet edhe BDI-ja e Ali Ahmetit që gëzon, sipas tij, avantazhin në të gjitha komunat me popullatë shqiptare. Ahmeti shpalli dy fitoret e para në Kërçovë dhe Pllaznicë. Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, tha se ka epërsi në Strugë.

Lëvizja Besa, ndërkohë, në vlerësimin e parë për zgjedhjet ka folur për parregullsi të shumta gjatë procesit zgjedhor, për të cilat ka njoftuar organet përgjegjëse, me qëllim procedimin e mëtejshëm. Për parregullsi u ankua edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Procesi për zgjedhjen e pushtetit të ri lokal u zhvillua në 80 komuna dhe në Shkup, si njësi e veçantë. Pjesëmarrja më e ulët në votime rezulton të jetë shënuar në rajonet me shumicë shqiptare.

Gjatë orëve të pasdites u regjistruan dhjetëra incidente, si fotografimi i fletës së votimit, përpjekje për të votuar për një person tjetër, përpjekje për blerje vote etj. Këto incidente bënë që të ndërpritej për 15-20 minuta procesi në disa qendra votimi.

Në garën për kryetar komunash kanë marrë pjesë 260 kandidatë. I gjithë procesi zgjedhor u mbikqyr nga rreth 5000 vëzhgues vendorë dhe nga gati 400 monitorues të misionit të ODIHR-it, si dhe ambasadave të huaja në Shkup, përfshirë atë amerikane.

Aktualitet