Erdogan në Beograd

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ndodhet në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Erdoan u prit në Aeroportin Nikola Tesla të Beogradit, nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Kryeministrja Ana Brnaviç, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në Beograd, Tanzhu Bilgiç (Tanju Bilgiç) së bashku me personelin e ambasadës.

Sipas deklaratës së bërë nga zyra për median në presidencë, Erdoan do të zhvillojë takime dypalëshe dhe ndërmjet delegacioneve me homologun serb dhe më pas do të dalin për një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kreu i shtetit turk do të takohet edhe me Kryeparlamentarin e Serbisë.

Gjatë kësaj vizite do të zhvillohet gjithashtu edhe Forumi i Biznesit Turqi-Serbi dhe Presidenti Erdoan do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga homologu serb për nderin e tij.

Në kuadër të vizitës parashikohet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve në fusha të ndryshme.

Presidenti Erdoan, në kuadër të vizitës do të vizitojë edhe Novi Pazar-Sanxhak.

Në deklaratën e Presidencës bëhet e ditur se Turqia i jep rëndësi zhvillimit në çdo fushë të marrëdhënieve me Serbinë dhe kjo vizitë do të përbëjë një zhvillim të rëndësishëm në mënyrë që marrëdhëniet dypalëshe të jenë në dobi të gjithë rajonit.

Aktualitet

Archives