Milot Rashica shënon gol ndaj Ajaksit, dhe mendon për të ardhmen

Milot Rashica është në qendër të vëmendjes në Holandë. Futbollisti shqiptar i Kosovës shënon ndaj Ajaksit, ndërsa besohet se do të shkojë në një klub të madh europian.

Nuk ishte dosido, por ndaj Ajaksit.
Milot Rashica e tregoi edhe një herë vlerën e tij me rrjetën e shënuar në portën e skuadrës më të madhe të Holandës, ndërsa Viteshe arriti një fitore impresionuese në Amsterdam.
Talenti shqiptar I Kosovës, më parë I kombëtares së Shqipërisë, e ka nisur më së miri një sezon ku pritet konfirmimi.
Pasi shkëlqeu dy vjet më parë duke shënuar mjaft gola e duke dhënë asiste të shumtë, 21-vjeçari nga Vushtria pritet të ketë një rol të rëndësishëm në ambiciet europiane të Viteshes.
Edicionin e kaluar, ai ndihmoi ekipin që të fitonte Kupën e Holandës, trofeun e parë në historinë e klubit, ndërsa për momentin, e ka ndihmuar të jetë në vendin e tretë të renditjes.
Gjithsesi, duket e vështirë që Viteshe ta mbajë Rashicën për një kohë të gjatë.
Mediat europiane kanë raportuar se Lacio shpreson ta marrë sa më shpejt në Serinë A, pasi drejtori sportiv Igli Tare e ka ndjekur dhe e vlerëson lart.
Për momentin, lojtari i krahut, nuk dëshiron të shqetësojë tifozët apo të krijojë shpërqëndrim.
Ai bëri vetëm një postim të thjeshtë në Tuiter, ndërsa interesimit të medias për të ardhmen, iu përgjigj me një anashkalim.
“Interesimi I klubeve të tjerë më bën të ndihem mirë dhe është një motivim më shumë, por për momentin unë jam I përqëndruar këtu ku jam, – u shpreh 21-vjeçari I Kosovës, – dua të ndihmoj ekipin dhe të shënoj gola, më pas do të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja”.

Aktualitet