Merkel do të drejtojë sërish koalicionin qeverisës

Sipas rezultateve zyrtare të pjesshme që ka publikuar Autoriteti Federal Zgjedhor i Gjermanisë partitë e Unionit Kristian (CDU/CSU) kanë dalë forca e parë politike duke marrë 33% të votave. Mirëpo ky është rezultati më i dobët që koalicioni CDU/CSU kanë marrë në zgjedhjet që janë mbajtur në vend pas vitit 1949. Krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2013 unioni CDU/CSU ka humbur 8,5% të votave.

Edhe numri i votave të partneres së koalicionit qeverisës, Partisë së Social-Demokratëve (SPD), ka rënë me 5,2% dhe arriti të marrë 20,5% të votave në zgjedhjet e të dielës. Ky është rezultati më i ulët që ka marrë SPD-ja në historinë e zgjedhjeve gjermane.

Partia e Alternativës për Gjermaninë (AfD), një forcë politike populiste e ekstremit të djathtë, ka marrë 12,6% të votave dhe ka hyrë për herë të parë në Parlamentin Federal. Në zgjedhjet e 2013-ës AfD-ja kishte marrë 4,7% të votave duke mos e kaluar dot pragun zgjedhor 5%.

Edhe Partia e Demokratëve të Lirë (FDP) kishte ngecur në barrierën e pragut zgjedhur me 4,8% në zgjedhjet e kaluara, kurse në zgjedhjet e fundit liberal-demokratët dolën partia e katërt me 10,7%.

Partia e 5-të doli Partia e Majtë me 9,2%. Të drejtën për të hyrë sërish në parlament e fituan edhe të Gjelbërit me 8,9%.

Rezultatet zgjedhore partitë do ti vlerësojnë sot.

Në një program televiziv kancelarja Merkel tha se qeveria e re do të jetë gati deri në mesin e dhjetorit.

Për krijimin e qeverisë së re në aspektin numerik ekzistojnë dy alternativa, koalicioni CDU/CSU-FDP-Të Gjelbërit ose CDU/CSU-SPD, tha Merkel, duke shtuar se nuk është gati të bisedojë me liderin e SPD-së, Martin Schulz për koalicionin qeverisës.

Merkel tha se nuk është për krijimin e një qeverie pakice.

Aktualitet

Archives