Pajisja e përgjimit alarmon vendin, nesër pyeten Tahiri, Llalla, Ajazi e Çako

Pajisja e përgjimit ilegal nga ana e Policisë së Shtetit ka shkaktuar një alarm në institucionet shqiptare, duke bërë që Komisioni për Sigurinë Kombëtare të thërrasë për të dëshmuar ditën e nesërme ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, kryeprokurorin Adriatik Llalla, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako dhe kreun e SHISH Visjo Ajazi.

Përkatësisht, Tahiri do të raportojë në orën 10:00 në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Llalla në orën 11:00, Çako në orën 12:00 dhe Visho Ajazi në orën 13:00. Në mbledhjen e sotme të Komisionit të drejtuar nga nënkryetari Flamur Noka, pasi kryetari Spartak Braho mungon për arsye shëndetësore, diskutimet u fokusuan tek kjo çështje. Flamur Noka dhe Asllan Dogjani kërkuan informacion për këtë pajisje përgjimi që nuk figuron e regjistruar në asnjë procesverbal.

Demokrati Noka këmbënguli se ka informacion që kjo pajisje ndodhet në Drejtorinë e Policisë dhe e quajti krim të rëndë nëse vertëtohet që janë përgjuar politikanë e zyrtarë të lartë. Për këtë arsye, Flamur Noka ka kërkuar që ditën e nesërme të dëshmojnë krerët e institucioneve të sigurisë në vend.

Ka qenë një sinjalizim i dhënë nga SHISH disa javë më parë, që në Drejtorinë e Policisë së Shtetit ndodhet një pajisje përgjimi që përdoret nga policia në mënyrë ilegale, pasi Policia e Shtetit nuk ka të drejtë të përgjojë askënd pa marrë më parë leje nga Prokuroria. Organi i Akuzës nuk ka qenë në dijeni për këtë gjë dhe u informua nga SHISH.

Tre ditë më parë, dy prokurorë takuan Çakon dhe i kërkuan të sekuestronin pajisjen ilegale të përgjimit, por kryepolici deklaroi se pajisja i përket Policisë Italiane dhe shërben për të trajnuar policinë shqiptare. Pas kësaj, Prokuroria nisi një letër drejt Italisë duke kërkuar informacion për këtë pajisje.

Aktualitet

Archives