Ambasadorja shqiptare në SHBA: Të paktën 20 familje shqiptare humbin gjithçka nga uragani Harvey

Ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Floreta Luli-Faber, thotë se të paktën 20 familje shqiptare humbasin gjithçka nga uragani Harvey.

Ajo thotë se qyteti i Houston në Texas, është sot i gjithi i përmbytur dhe se rreziku i furtunës nuk ka kaluar ende.

Ambasadorja bën me dije se komuniteti shqiptar atje, megjithëse relativisht i vogël në numër, përbëhet nga 500-600 familje.

“E prekur thellësisht për sa kam ndjekur përditësimin e ngjarjeve, ju drejtohem të gjithëve bashkëkombasve të mi, ju që po vuani pasojat e natyrës bashkë me të gjithë pjesën tjetër të popullsisë amerikane që jeton dhe punon në Houston dhe rrethinat e tij.

Nga kontaktet me autoritetet kemi mësuar se deri tani nuk ka patur fatalitete ndërmjet familjeve shqiptare. Kam kontaktuar me drejtuesit e organizatës Arberia Houston dhe jam informuar se janë të paktën 20 familje shqiptare të prekura totalisht nga kjo fatkeqësi natyrore duke iu rrëmbyer shtëpitë, makinat, dhe të gjithë pasurinë që ato kanë”, shkruan ajo në një postim në Facebook.

Më tej shton se, shpreson thellësisht që të gjithë të mbeten jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu thotë se qyteti i Houstonit është akoma nën kërcënimin e faktorëve të natyrës, por edhe nën gjendje emergjence për arsye të rritjes së kriminalitetit në qytet.

Ambasadorja inkurajon që shqiptarët të bëjnë atë që bëjnë më mirë, të qëndrojnë sa më afër dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.

“Mos u ndjeni se jeni larg vendit, të afërmve apo miqve tuaj. Ju siguroj që vëmendja jonë është atje në Houston! Kontaktet e Ambasadës në Uashington 202.223.4942, embassy.washington@mfa.gov.al dhe numri i emergjencës 202.758.9526 janë të hapura për cdo informacion apo për t’u lidhur me familjarët tuaj. Do ju vëmë në dispozicion të gjitha sa ne kemi mundësi. Jemi me mendje dhe me zemër bashkë me Ju!”, shkruan ambasadorja Floreta Faber.

Aktualitet

Archives