Falen taksat e automjeteve, ja kush përfiton

Qytetarët që disponojnë një automjet për të cilin nuk kanë paguar detyrimet ndër vite, tashmë mund të përfitojnë nga ligji i faljes së taksave, i cili ka hyrë në fuqi. Amnistia përfshin çregjistrimin e makinave dhe shuarjen e detyrimeve të papaguara, për të cilat nuk është kryer asnjë veprim me këto mjete pas datës 31 dhjetor 2011 e në vijim.

Subjektet/personat përgjegjës kanë afat që brenda datës 31 Dhjetor 2017 të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të kryer, pa pagesë, veprimet e heqjes nga qarkullimi të mjetit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi dhe mbajtjen aktiv të tij.

Atyre personave që nuk duan çregjistrimin e automjetit të tyre, u fshihen detyrimet tatimore për periudhat Dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave dhe kamatëvonesave të periudhës janar 2011 deri në dhjetor 2014, të cilat fshihen.

Përfitues nga ky ligj janë rreth 100 mijë drejtues automjetesh që nuk kanë paguar detyrimet deri në dhjetor të 2011-ës, ndërsa detyrimet e papaguara pas 1 janarit 2012 janë 5,3 miliardë lekë. Vlera e taksave të mjete të përdorura që çregjistrohen sipas te dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit te Transportit Rrugor është përllogaritur rreth 11.9 miliardë lekë.

Aktualitet