Krimi në familje, burri pranon vrasjen e gruas

Dalin detaje të reja lidhur me krimin në familje të ndodhur në Shkodër, ku burri vrau me armë gjahu gruan e tij.

Rreth orës 00: 05, të natës së lënë pas, policia është njoftuar nga Beqir Xhilaj, se në banesën e tyre është vetëvrarë me armë gjahu e shoqja, Lumturie Xhilaj 45 vjeçe, banuese në fshatin Guci e Re, Njësia Administrative Rrethina Shkodër.

Nga hetimet e kryera nga policia, rezultoi se e ndjera nuk është vetëvrarë por dyshohet se e ka vrarë bashkëshorti për motive të dobëta, krim që më pas e ka pranuar edhe vetë i dyshuari.

Në këto kushte nga ana e policisë u bë arrestimi në flagrancë i 74- vjeçarit Beqir Xhilaj, banues në fshatin Guci e Re.

Në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e gjahut të cilën e mbante me leje i dyshuari.

Gjithashtu i moshuari rreth 20 vite më parë akuzohet për vrasjen e gruas së tij të parë, ku edhe për atë akuzë ka pretenduar se ish- bashkëshortja i kishte dhënë fund jetës.

Pas shlyerjes së dënimit ai u martua sërish me Lumturie Xhilaj. Por nata mes të dielës dhe së hënës rezultoi fatale për 45- vjeçaren, e cila pati të njëjtin fat si bashkëshortja e parë e Beqirit.

Ndaj të dyshuarit vijojnë ende hetimet ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Shkodrës për ndjekje të mëtejshme lidhur me veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Aktualitet

Archives